E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, vandalizma mbi shqiptarin



Marko Caka/ Athinë

Ngjarje makabre në ishullin Hania pranë Kretës në Greqi, masakrohet në mënyrë çnjerëzore emigranti 35-vjeçar nga Shqipëria. Ngjarja ka ndodhur në ora 17:30 të së martës, kur emigranti shqiptar ka rënë pre e dhunës fizike dhe e akteve të turpshme që i kanë shkaktuar plagosje të rëndë dhe dëmtime serioze të organeve të brendshme. Sipas burimeve mjekësore dhe policisë, gjatë sulmit mbi shqiptarin është ushtruar dhunë fizike ndërsa në anusin e tij është vendosur një shkop, i cili ka dëmtuar rëndë mëlçinë e deri te mushkëritë lart në gjoks. Ngjarja e rëndë e cila ka tronditur mbarë opinionin në Greqi, dyshohet se ka për shkak ftohjen e marrëdhënieve të 35-vjeçarit nga Shqipëria me të fejuarën. Disa media greke kanë pretenduar edhe një pistë tjetër sipas të cilës sulmi kishte për shkak borxhet që 35-vjeçari kishte me disa persona të tjerë. Për realizimin e këtyre akteve, ai dyshohet se frekuentonte persona të ndryshëm, derisa të martën në mbrëmje rreth orës 17:30 ka pasur një keqkuptim me personat që e sulmuan. Ata dyshohet se janë anëtarë të grupit ekstremist “Hrisi Avgi”. Pas veprimeve poshtëruese dhe fyese ndaj shqiptarit, autorët kanë tentuar t’i djegin trupin 35-vjeçarit, duke e kaluar atë mbi një zjarr në formën e hellit, pranë vendit ku janë kryer aktet vandale. Nga policia greke, dje është deklaruar se një pistë tjetër e ngjarjes është konflikti i shqiptarit me të dashurën e tij greke, çka ka sjellë dhunën e të afërmve të familjarëve të saj mbi 35-vjeçarin.
Gënjen mjekët
Pasi është rrahur barbarisht dhe më pas është keqtrajtuar, emigranti shqiptar 35 vjeç, ka rënë pre e veprimeve abuzive të autorëve të ngjarjes. Ata i kanë vendosur një shkop në pjesën e pasme në anus, të cilin e kanë shtyrë dhe e kanë lëvizur duke shkaktuar dëmtime të rënda në zorrën e trashë, mëlçinë e deri te mushkëritë e shqiptarit. Agresorët e kanë lënë emigrantin të shtrirë përtokë, duke arritur të largohen nga vendi i ngjarjes. I plagosuri ka mundur të paraqitet në spitalin e Hanias, ku u ka thënë mjekëve se kishte pësuar një incident në banjo nga i cili ishte plagosur dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Bluzat e bardha fillimisht nuk kanë dyshuar, pas një ekzaminimi të jashtëm ata kanë dhënë mjekimin, duke pritur përmirësimin e emigrantit, por gjendja e tij vetëm sa është përkeqësuar. Shqiptari ka pasur humbje ndjenjash, rritje temperature dhe komplikacione të tjera. Për këtë shkak, mjekët kanë vendosur të kryejnë një analizë të përgjithshme, përfshi edhe grafitë e trupit. Kanë qenë këto të fundit që kanë zbuluar copat e drurit, të mbetura brenda trupit të shqiptarit, në afërsi të mushkërive.
Ndërhyrja
Me të konstatuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej shqiptari, mjekët kanë vendosur t’i bëjnë atij një ndërhyrje kirurgjikale, me qëllim nxjerrjen jashtë organizmit të objekteve të huaja. Operacioni kirurgjikal ka dalë me sukses, por mjekët kanë thënë se dëmtimet e shqiptarit ishin shumë serioze, duke mos dhënë shumë garanci për jetën e tij. Drejtori i shërbimit të spitalit të Hanias, Jorgo Arhondaki, tha se gjatë operacionit u vërtetua se nga anusi i pacientit shqiptar kishte hyrë një objekt, i cili i kishte shkaktuar probleme në zorrën e trashë, në mëlçi dhe organe të tjera. Disa oficerë të policisë greke janë paraqitur dje disa herë në spitalin e Hanias në Kretë, për të marrë në pyetje shqiptarin e plagosur rëndë. Ai nuk ka qenë në gjendje të japë shpjegime, pasi kishte dalë nga operacioni i vështirë ndërsa mjekët kanë urdhëruar mbajtjen e tij në reanimacion. Mediat greke kanë thënë se policia ka nisur hetimet për ngjarjen, pa identifikuar autorët e dhunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›