E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, incident me Ndërtimorët



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Një grua tentoi të vetëdigjej me benzinë, një tjetër të hidhej nga tarraca e banesës, ndërsa një e moshuar përfundoi në spital me parainfarkt si pasojë e konfliktit me policinë për prishjen e banesave të tyre.
Kjo ngjarje u regjistrua dje në lagjen “Kume” të Vlorës, kur banorët e saj u përplasën fizikisht me policinë bashkiake dhe atë të rendit. Shkak është bërë një vendim i KRRT-së së bashkisë për prishje të 9 objekteve, shtëpi private, në një sipërfaqe toke prej rreth 7600 metër katror. Në këtë sipërfaqe që ndodhet në afërsi të plazhit të vjetër është dhënë një leje ndërtimi për një pallat 8 katësh. Banorët e shprehën qëndrimin e tyre duke i dalë përpara skrepit, i cili nuk e finalizoi dot prishjen e parashikuar si pasojë e këmbënguljes së tyre. Ata u shprehën se jetojnë në këtë zonë prej rreth 50 vitesh. Në shenjë revolte ndaj inspektoratit të bashkisë, një prej banoreve që do i prishej shtëpia u lye me benzinë duke kërcënuar ndërtimorët dhe policinë se nëse do t’i prishej banesa, ajo do t’i vinte flakën vetes. E përlotur gruaja bërtiste se nuk kishte vend tjetër se ku të shkonte me fëmijët e saj. Situata precipitoi akoma kur një tjetër grua, banesa e së cilës u shemb pjesërisht, hipi në tarracën e saj dhe kërcënoi se do të vetëhidhej. Ndërsa një e moshuar u dërgua në urgjencë me parainfarkt si pasojë e rrëmujës së shkaktuar për disa orë mes banorëve dhe policisë.
Sipas banorëve B. Dule, M. Grabova, B. Shabani, objektet e tyre janë në proces legalizimi, ndërkohë që ata janë edhe në proces gjyqësor me personin që pretendon pronësinë e kësaj sipërfaqeje. Ata pohuan se “të ashtuquajturit pronar për tokën, kanë falsifikuar dokumentet. Personat me mbiemrin Zile, të cilët pretendojnë se kanë pronë 7600 metër katror, nuk kanë dokumente të rregullta, sepse në bazë të dokumenteve të arkivit të shtetit kjo tokë rezulton e lirë, pra shtetërore, pa pronarë”, u shprehën banorët. Ata kërcënuan se situata do të acarohet më shumë nëse fadromat do të vijnë sërish për t’iu prishur banesat. Mësohet se janë 9 shtëpi gjithsej për t’u shembur. Për pesë prej tyre dje ishte dhënë urdhri për t’i prishur, por vetëm dy prej tyre u shembën gjatë aksionit, pasi banorët kundërshtuan me forcë këtë vendim. Mësohet se policia ndërhyri dhe i hoqi çakmakun nga dora gruas që ishte lyer me benzinë, duke shmangur një ngjarje të rëndë. I njëjti veprim u krye edhe me gruan e cila kërcënoi se do të hidhej nga tarraca e banesës së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›