E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë me thika në disa qytete, shtatë të plagosur dhe një i vdekur

Betejat me thika në disa
qytete kanë shkaktuar
gjashtë të plagosur dhe një
te vdekur gjatë 24 orëve të fundit.
Ata janë plagosur gjatë konflikteve
të ndryshme në gjashtë qytete,
duke përfshirë edhe Tiranën.
Një konflikt mes disa banorëve
te zona e "Bërrylit" në Tiranë
ka përfunduar me plagosjen
e një 55-vjeçari dhe vdekjen e
një tjetri nga ataku, i cili është
dërguar me urgjencë në spital.
Kadri Uka ka mbetur i plagosur
rëndë, pasi është goditur me thikë
pas sherrit me disa persona të
tjerë për motive pronësie. Sipas
policisë, plagosja është regjistruar
rreth orës 19:30 dhe uniformat
blu kanë shkuar menjëherë në
vendngjarje për zbardhjen e plotë
të këtij konflikti. Nga të dhënat
mësohet se Pëllumb Murataj
dhe Uka kishin një konflikt për
një market përballë maternitetit
"Koço Glozheni". Gjatë konfliktit
janë përfshirë edhe persona të
tjerë, ku ka qenë i pranishëm
edhe djali i Muratajt, Ledio. Por,
në sherr e sipër, Pëllumb Murataj
ka pësuar një atak. Ai është nisur
me urgjencë për në spital, ku ka
ndërruar jetë. Pas kësaj, Ledio
Murataj ka goditur me thikë Ukën,
i cili është transportuar i plagosur
në spital. Policia shpjegoi se
konflikti ka nisur dy ditë më parë.
Edhe të mërkurën, ajo i ka ndarë
palët, por dje janë zënë sërish.
Policia tha se ka shoqëruar të
dyshuarin për plagosje, Ledio
Murataj.
Ndërsa një tjetër i plagosur
është një bari nga Roskoveci, i
cili është goditur katër herë me
thikë nga një person, tashmë i
identifikuar nga policia. Sipas
të dhënave, Skënder Çepele,
35 vjeç, është gjetur i plagosur
rastësisht nga banorët, i mbuluar
i gjithi me gjak. Menjëherë ai
është nisur për në spital, ku është
njoftuar edhe policia. Gjendja
e tij shëndetësore paraqitet e
keqe, ndërsa policia ka mundur
të identifikojë të dyshuarin. Sipas
të dhënave hetimore, për këtë
ngjarje është arrestuar Eritel
Cjapi, banor i zonës, ku ndodhi
ngjarja. Ndërsa në Tiranë, një
djalë i ri është therur me thikë
pranë sheshit "Skënderbeu"
dhe tani gjendet në spital nën
kujdesin e mjekëve. Ngjarja
e rëndë ka ndodhur në orët e
mbrëmjes së djeshme, pas Pallatit
të Kulturës. Në lidhje me këtë
ngjarje, specialistët e seksionit
kundër krimeve ndaj jetës dhe
shëndetit, konfirmuan arrestimin
e 20-vjeçarit Saba Kovaçi dhe Nezir
Mustafajt, 26 vjeç. Ata dyshohen
se 24-vjeçarin Daniel Agolli e kanë
goditur me thika pas një sherri të
momentit. I dëmtuari u dërgua
menjëherë në Spitalin Ushtarak
dhe aktualisht ndodhet jashtë
rrezikut për jetën. Në Durrës
është regjistruar plagosja e katërt
brenda 24 orëve. Nga të dhënat
hetimore mësohet se specialistët
e antikrimit dërguan për ndjekje
penale në gjendje të lirë shtetasin
Ilson Hysni Kuçana, 15 vjeç,
banues në fshatin Hamallaj, me
arsim 9 klasë. Sipas policisë, ky
person, rreth orës 13.00, në fshatin
Hamallaj, për motive të dobëta
ka plagosur me thikë Përparim
Camin, 26 vjeç, i cili pas mjekimit
ndodhet në banesë. Ndërsa në
Korçë, ditën e djeshme u dërgua
për ndjekje penale në gjendje të
lirë Istref Pilinci, 29 vjeç, banues
në fshatin Podgorie. Nga të dhënat
hetimore mësohet se në orën
12.30, në Podgorie, ka plagosur
me thikë Petraq Gurnazin, 32
vjeç, banues në fshatin Veliternë,
i cili ndodhet në spital jashtë
rrezikut për jetën. Sipas policisë,
i dëmtuari kishte shkuar te disa të
afërm të tij, por rrugës është vënë
re nga Pilinci, i cili i kishte dhënë
para borxh. Pas kësaj, Pilinci e
ka ndjekur dhe gjatë debatit e
ka goditur me thikë. I dëmtuari
ndodhet jashtë rrezikut për
jetën. Gjithashtu është plagosur
edhe një i mitur në Berat. Sherri
mes dy adoleshentëve për një
femër desh i ka kushtuar jetën
13-vjeçarit Klevi Kaja. Nga të
dhënat hetimore mësohet se
rreth orës 21.45, në fshatin
Karkanjoz, në lokalin e Ylli
Kajës, Denis Lybeshari, 17 vjeç,
nxënës i shkollës pedagogjike,
ka plagosur lehtë me një biçak
të miturin e lartpërmendur, i cili
ndodhet në spital jashtë rrezikut
për jetën. Në Dibër është shënuar
plagosja e fundit. Sipas policisë,
filloi procedimi penel në gjendje
të lirë për Gëzim Alimanin, 17 vjeç,
banues në Burrel, me arsim 8 klasë.
Ai, rreth orës 17.30, te Kryqëzimi i
Koliqit, pas një konflikti për motive
te dobëta, ka plagosur me thikë
shtetasin Ermal Sefer Shira, 22
vjeç, banues në Burrel, me arsim 8
klasë, i cili pas mjekimit ndodhet
në banesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›