“Luftë me tolerancë zero ndaj krimit”
Rikonfirmon ministri i Brendshëm Bujar Nishani
"Motoja e qeverisë shqiptare është lufta me tolerance zero ndaj krimit", u shpreh ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në ceremoninë e organizuar dje në Akademinë e Policisë së Shtetit me rastin dhurimit të disa pajisjeve për forcat policore, por edhe të ushtrisë nga qeveria amerikane.
Ministri Nishani, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme të qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit në veçanti, tha se "ndihma e dhuruar sot i shton një element të rëndësishëm kapaciteteve të infrastrukturës së hetimit dhe luftës ndaj krimit në Shqipëri".
"Në ditët e sotme krimi i organizuar është një sfidë globale. Qasja, goditja, përballja e kësaj sfide kërkon krahas një niveli të lartë të profesionalizmit edhe një infrastrukturë moderne e të përparuar. Elemente të tillë që pasurojnë teknikat e hetimit, teknikat e menaxhimit dhe drejtimit operacionl në terren për aktivitetet e Policisë së Shtetit do të jenë padyshim një standard i ri për të garantuar suksesin e mëtejshëm të këtyre forcave në përmbushjen e misionit të tyre", tha Nishani.
I pranishëm në ceremoni ambasadori amerikan, Alekxander Arvizu, shprehu mbështetjen për Shqipërinë dhe Policinë e Shtetit. "SHBA do të vazhdojnë ndihmën dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara profesionalizmin e Policisë së Shtetit", tha ambasadori Arvizu.
Qeveria amerikane, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, i dhuroi sot Policisë së Shtetit një mjet që shërben si një qendër komande e lëvizshme për operacionet policore.
...