Luftë mes “Borbas” dhe “Bashkimit” për të ardhmen e Kosovës
Vazhdojnë replikat mes mediave shqiptare e serbe.
Vetë Titoja, në takimin me shokun Enver Hoxha, në vitin 1946, deklaronte se Kosova ishte shqiptare. Por shpejt doli se për udhëheqjen e Partisë Komuniste jugosllave njohja gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare e parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje për popullin e Kosovës, të parashikuar që më 1940-n nga një figurë e tillë e PKJ-së si Mosha Pijade. Deklarata e premtime solemne u hodhën prapa krahëve dhe Kosova, pas shkëputjes nga trungu shqiptar, copëtohej sërish brendapërbrenda Federatës Jugosllave. Gjatë gjithë këtyre muajve kemi dëgjuar të thuhet se akordimi i statusit të republikës së Kosovës do të minonte nga themelet Federatën Jugosllave, se një gjë e tillë do të vinte në pyetje vetë strukturat federative. Në këtë rast arsyetimi është zhvilluar në një vijë juridike kushtetuese dhe, mbi këtë bazë, kërkesa “Kosova-republikë” është cilësuar si e kundërligjshme, antikushtetuese. “Borba” i përsërit pak a shumë këto parashikime apokaliptike. Edhe Rajçeviçi bën fjalë për një pështjellim të madh që gjoja do të krijohej në sistemin Federativ Jugosllav po të pranohej kërkesa e popullsisë shqiptare. Po si mund të hidhet poshtë mund të hidhet poshtë seriozisht një kërkesë e drejtë me argumente formale juridike? Federata Jugosllave, me ndarjet e nëndarjet e saj të brendshme, është ngritur pa pjesëmarrjen e popullsisë shqiptare. Udhëheqësit jugosllavë dhe propaganda e tyre nuk mund të sjellin as edhe një dokument të vetëm që të implikojë shprehjen autentike të vullnetit të shqiptarëve në etapat e ndryshme të krijimit të Jugosllavisë federative, as gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare (në mbledhjen e AVNOJ-it, në fund të vitit 1943, shqiptarët jo vetëm nuk morën pjesë, por as që u përmendën fare) e as pas lufte, kur iu hodh çatia ndërtesës federative. I vetmi akt që u përket shqiptarëve është vendimi i Bujanit, pavarësisht se serbomëdhenjtë sot mund ta quajnë atë një episod fatkeq. Madje një njollë të zezë në historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare. Rrjedhimisht, edhe sikur çështja të përballohet nga pozita formaliste, rigoriste, kemi të bëjmë me një ves juridik në procesin e krijimit të federatës në atë pjesë që ka të bëjë me të drejtat e popullsisë shqiptare, një ves që përjashton përgjegjësinë e saj për gjithçka është vendosur lidhur me të në etapat dhe instancat e ndryshme. Apo mos vallë “Borba” i referohet legalitetit të Jugosllavisë së kralëve për të zhvlerësuar kërkesën për ndryshimin e pozitës së shqiptarëve në Jugosllavinë e sotme?! Në përgjithësi është vënë re qartë tendenca e propagandës jugosllave për të vënë përballë kërkesës “Kosova-republikë” disa vështirësi të natyrës konstitucionale, të cilat zmadhohen qëllimisht jashtë çdo mase. Kjo mund të duket një strehë komode, por është krejt e paqëndrueshme. Këtu problemi kthehet me kokë poshtë; për mendjen e shëndoshë premisa e arsyetimit në këtë rast duhet të jetë a është e drejtë kërkesa, dhe jo çfarë pengesash mund të dalin eventualisht për realizimin e saj në praktikë. Po të jetë vullneti i mirë, pengesat janë të kapërcyeshme. Pastaj, ç’është ky feshizim juridikoformal i akteve kushtetuese? Kushtetutat, edhe pse akte themeltare, nuk janë të pandryshueshme, të përjetshme. Nuk ka kushtetutë në botë që, krahas dispozitave kryesore, të mos parashikojë edhe procedurat përkatëse për korrigjimet apo plotësimet e nevojshme. Nuk bën përjashtim në këtë drejtim as Kushtetuta e Federatës Jugosllave. Federata Jugosllave ka në themelin e vet një padrejtësi që i është bërë popullsisë shqiptare, prandaj çështja shtrohet në thelb dhe nuk mund të vlejnë konsideratat procedurale. Shqiptarët nuk mund të mbajnë mbi supe barrën e kombinacioneve që janë kryer në kohën e vet në dëm të tyre. Shqiptarët, në kërkesën e tyre nuk nisen aspak nga një dëshirë e thjeshtë për të shpërthyer kornizat kushtetuese jugosllave, synimi është të vënë në vend të drejtën e tyre. Përfundimi del vetvetiu: autorët e këtyre kombinacioneve duhet ta zgjidhin nyjën mbi bazën e zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare në Kosovë, duke i njohur kësaj statusin e republikës, të pjesëtares së barabartë të Federatës Jugosllave. Një arsye që është përmendur shpesh për t’ia kundërvënë kërkesës “Kosova-republikë” është edhe ajo e autonomisë specifike, e cila na përshkruhet si një fenomen unikal, i panjohur deri tani nga teoria dhe praktika politiko-ligjore. Që fraza të tingëllojë më bindëse, shtohet aty për aty se vërtet krahina e Kosovës është pjesë e Republikës serbe, por është njëkohësisht edhe një element konstitutiv i federatës me disa të drejta që krahasohen me ato të republikave. Me këtë rast bëhet një listë e gjatë e posteve dhe përgjegjësive që mund të marrin pjesëtarë të kombësisë shqiptare në të gjitha strukturat shtetërore, në shkallë republike apo federative. Natyrisht, kjo e tëra është e llogaritur për mendjet naive, me shpresë se opinioni mund t’i hajë të tilla truke të tejdukshme. Këtu spekulohet me të ashtuquajturin element konstitutiv federal që ka një karakter deklarativ e formal, por nuk ndryshon thelbin, domethënë le të paprekur pozitën e Kosovës, e cila ka si përmbajtje jo autonominë politike shtetërore, por autonominë administrative. Krahina e Kosovës sot në sistemin e federatës është edhe juridikisht një komponent subalterne e Republikës Serbe. Pa dyshim, autonomia administrative që ka sot Kosova është një arritje, fryt i përpjekjeve dhe i luftës së vetë kosovarëve kundër tendencave centralizuese që kanë synuar gjithnjë ta reduktojnë në një njësi të thjeshtë të ndarjes territoriale të brendshme. Veçse ajo mbetet gjithnjë një autonomi administrative, kufijtë e së cilës jo vetëm janë të kushtëzuara nga prerogativat kryesore, që janë të republikës e të federatës (kurrsesi të krahinës autonome), por ato mund të ndryshojnë sipas rrethanave, sipas presioneve të kësaj apo asaj rryme që merr sipërinë në jetën politike. Nuk është për t’u çuditur që në mbledhjet e panumërta në forumet e shtetit e të partisë të të gjitha niveleve, në korin e rekriminacioneve për lëshimet që gjoja u janë bërë kosovarëve, diskutues të ndryshëm, zëdhënës të klanit shovinist serbomadh kanë ngritur fort zërin për rishikimin dhe ngushtimin e kësaj autonomie. Dhe nga fjalë tani po kalohet në vepra. Shovinizmi serbomadh po godet me kopaçe të madhe. Një aspekt i politikës represive që po bie mbi krye të popullsisë shqiptare janë terrori policor, ndjekjet gjyqësore e administrative, përjashtimet në masë, hedhjet në mes të katër rrugëve. Një aspekt tjetër, jo më pak i rëndësishëm, është goditja frontale kundër realizimeve arsimore, kulturore e shkencore të arritura në Krahinën e Kosovës, sidomos gjatë këtyre 10 vjetëve. “Borba” nuk mungon t’i përmendë këto arritje si një dëshmi të rëndësisë së kësaj autonomie, si një provë të vlerës së saj për afirmimin e popullsisë shqiptare. Por fjalët e saj tingëllojnë sot si një tallje cinike, kur janë venë në shënjestër Universiteti i Prishtinës, shkollat, institucionet shkencore e kulturore, kur është në zhvillim e sipër një ofensivë e përgjithshme kundër vlerave të historisë dhe kulturës kombëtare. Nën maskën e luftës kundër miteve të së kaluarës dhe romantizmit nacional po zhvillohet një aksion në shkallë të gjerë, që ka për qëllim tek e fundit privimin e popullit të Kosovës nga historia e tij, mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, shkrirjen e tyre me masën sllave. Po nxjerr krye një tendencë e fortë për rikthimin te politika e asimilimit, megjithëse ajo nuk ka sjellë veçse dështime dhe madje tronditje. Është qesharake orvatja e “Borba”-s për t’i paraqitur ngjarjet e Kosovës si rezultat i një deviacioni nga politika zyrtare, deviacion që i mvishet së ashtuquajturës burokraci nacionale të Krahinës. Me këtë kuptohet shtresa e nëpunësve shqiptarë të strukturave lokale, shtetërore e joshtetërore, të cilët gjithnjë sipas “Borba”-s, të asistuar nga një inteligjencë me prirje të theksuara nacionaliste, paskan lejuar dhe madje nxitur një proces largimi nga bashkësia socialiste që ka përfunduar në një vetëmbyllje në guaskën e ngushtë kombëtare. Jo, zotërinj të “Borba”-s, nuk kalojnë të tilla mistifikime: Kursi që është ndjekur kundrejt popullsisë shqiptare ka qenë studiuar mirë, ka qenë përcaktuar me kohë e me vetëdije të plotë në instancat më të larta jugosllave. Me këtë kurs lidheshin disa synime qitje të afërt e të largët si kundrejt popullsisë shqiptare në Jugosllavi, ashtu edhe në raport me shtetin Shqiptar të pavarur, që shpresohej të binte, në fund të fundit si një pemë e arrirë në shportën jugosllave. Udhëheqja supreme jugosllave mund të jetë zënë në befasi nga rezultatet konkrete të kësaj politike, por jo nga fakti i zbatimit të kësaj politike, që ka qenë formuluar prej saj në të gjitha hollësitë dhe detajet e mundshme. Asgjë nuk është bërë në krahinën e Kosovës që të mos kenë pasur dijeni organet e pushtetit qendror në Beograd. Sa për një shembull, edhe Konferenca e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, së cilës tani shtypi jugosllav i rikthehet për t’i dhënë disa ngjyra skandaliste, ka pasur nulla ostan e organeve më të larta federative. “Borba” hesht për këto dhe ia hedh fajin njëfarë burokracie nacionale se paska shpërdorur autonominë specifike! Sot e vërteta është: kjo politikë i është nënshtruar një rishikimi rrënjësor që ka dy karakteristika kryesore: në njërën anë sulmi kundër arritjeve të shqiptarëve, dhe në anën tjetër fushë e lirë revanshi të rrymës shoviniste serbomadhe.
Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” më datë 12 shtator 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
1 Mars 2008