Ambasadori Withers në Korçë për universitetin amerikan dhe trafikimin
KORÇË – Përfaqësuesi diplomatik i Uashingtonit në Tiranë, John Withers, për herë të parë ka parashtruar dje në qytetin e Korçës hapjen e Universitetit Amerikan si dhe ka diskutuar për problemet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe fenomeneve të korrupsionit në nivelet lokale të qeverisjes. Ai zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë, Niko Peleshi dhe më pas me prefekten e Qarkut, Elfrida Zefi. Ambasadori amerikan, Withers, i shoqëruar nga përfaqësues të fondacionit "Terre des Hommes", është njohur nga kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, me traditat e hershme të qytetarëve korçarë për emigrimin në SHBA dhe lidhjet miqësore që ka krijuar ky emigrim. Ai i bëri të njohur më pas ambasadorit amerikan një sërë projektesh që po zbatohen në qytetin e Korçës me mbështetjen e qeverisë së SHBA-ve, ndër të cilat përmendi zbatimin e projektit të koalicionit antikorrupsion, projektin kundër trafikimit të fëmijëve, projektin për qeverisjen e mirë lokale dhe një sërë grantesh të dhëna nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Gjithashtu, krybashkiaku Peleshi, i parashtroi ambasadorit Withers çeljen e një universiteti amerikan në Korçë, si kërkesë dhe projekte të mundshme në të afërmen e afërt, si dhe mbështetjen për sektorin e edukimit dhe të turizmit nëpërmjet ngritjes së një aeroporti. “Kërkojmë nga ana juaj, që krahas projekteve që ne kemi në zbatim me mbështetjen e qeverisë së SHBA-ve, të na përkrahni edhe për hapjen e një universiteti amerikan në Korçë, pasi për këtë kemi marrë aprovimin edhe nga qeveria qendrore", - tha kryebashkiaku Peleshi. I informuar për qytetin e Korçës si i pari në vend që ka kontribuar në çeljen e arsimit shqip, ambasadori premtoi se do të kontribuohet edhe për hapjen e universitetit amerikan në këtë qytet. Vizitës së ambasadorit Withers në Bashkinë e qytetit të Korçës, i shërbeu edhe fillimi i një projekti tjetër kundër trafikimit të fëmijëve, që siç u tha në takim, ka një mbështetje të madhe nga qeveria e SHBA-ve. Përfaqësuesi i këtij Fondacioni tha se "transferimi i këtij projekti është një shenjë suksesi për Bashkinë e Korçës, pasi ajo është e para nga 7 bashki të vendit tonë që do të fillojë të zbatojë këtë projekt". Në takim u firmos edhe marrëveshja për transferimin e projektit të luftës kundër trafikut të fëmijëve nga fondacioni "Terre des Hommes" në Bashkinë e Korçës.
1 Mars 2008