Abuzimi 1.5 milionë euro me fondet e BE-së, zhduken preventivat
Nuk bëhen publike specifikimet e çmimeve. Zyrtari i Ministrisë së Ekonomisë favorizoi aferën
Habjon Hasani
Projekti fantazmë, i financuar nga fondet e BE-së për ndërtimin e landfillit të mbetjeve gjoja të kontaminuara pranë lumit Fan, nuk bën publike preventivat e shpenzimeve. Ndërsa “Albania” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht preventivin e bërë publik nga firma është evidente se aty mungojnë kostot financiare për zërat përkatës. Në kundërshtim me ligjet shqiptare (pasi vepra është publike) OJQ-ja zbatuese ka fshehur specifikimet e çmimeve për secilin zë të buxhetit të shpenzimeve. Por duket se firma nuk është mjaftuar vetëm me kaq, por ndërkaq ka realizuar edhe një VNM (Vlerësim të Ndikimit në Mjedis) me një kosto stratosferike prej 120 mijë eurosh. Gazeta ka mundur të sigurojë informacionin për vlerë e deklaruar të VNM-së, ndërsa mësohet se deklarimi i një kostoje të tillë rezulton tejet i fryrë, pasi praktika shqiptare parashikon shifra ku e ku më të ulëta e modeste sesa kostoja e deklaruar nga firma. Ndërkaq, është mësuar se një zyrtar i lartë i Ministrisë së Ekonomisë ka bërë “lobing” për realizimin e këtij projekti nga OJQ-ja në kundërshtim të hapur me ligjet shqiptare, duke favorizuar një aferë të pastër.
Afera
E gjithë historia fillon në vitin 2004, kur një projekt i Bashkimit Europian akordoi disa miliona euro për sistemimin e disa zonave në Shqipëri që paraqisnin një nivel të lartë ndotjeje. Një shumë prej 3.5 milionë eurosh u parashikua të shkonte në Uzinën e Superfosfatit të Laçit, por duke qenë se aty nuk u krijuan kushtet (si pasojë e reagimit të disa pronarëve tokash) për ndërhyrje, atëherë shuma në fjalë u mbajt e ngrirë. Por kjo shumë nuk mund të rrinte pafundësisht e ngrirë, pasi projektet kanë një afat përfundimtar (deadline) dhe pikërisht në këtë moment në lojë kanë hyrë “mjeshtrit” shqiptarë të mjedisit, duke vendosur të investojnë këtë shumë në sistemimin e Fabrikës së ish-Azotikut në Fier dhe në zonën përreth Uzinës së Bakrit në Rubik (rreth 1.5 milionë euro). Por problemi qëndron pikërisht te ky i fundit, pasi të dhënat shkencore që flasin për shkallën e kontaminimit janë të falsifikuara dhe të rreme. Pretendimet e projektit janë se shirat që kanë rënë në sipërfaqen e shesh-punimit të uzinës kanë përmbajtje toksike dhe të kontaminuar. Për më tepër, projekti “jep alarmin” se meqenëse pranë fabrikës kalon dhe lumi Fan, atëherë kjo sasi dheu e shesh-punimit do të kërcënonte jo vetëm ambientin tokësor, por edhe atë ujor. Kësisoj u vendos të bëhej zhvendosja e të gjithë masivit në anën tjetër të lumit në një zonë të sigurt (landfill) që sipas projektuesve plotësonte të gjitha kushtet e mbrojtjes së ambientit. Por a janë të sakta të dhënat dhe parametrat shkencorë mbi përmbajtjen toksike, apo të kontaminuar? Rezulton krejt e kundërta. Ndërkohë që i gjithë “projekti” duket se është një farsë totale nëse i referohesh pretendimeve për përqindjen e aciditetit.
Manipulimi
Të dhënat për kontaminimin e zonës janë bazuar në një studim të vitit 2000, që në mënyrë të çuditshme i dedikon një përqindje shumë të lartë aciditeti dheut të shesh-punimit dhe kontaktit të mundshëm të tij me ujin e lumit. Shkallën e aciditetit e përcakton vlera e Ph (pehashit). Nëse i referohesh studimit në fjalë, Ph është përcaktuar me koeficientin 3. Për cilindo që ka njohuri minimale nga përbërësit kimikë është e qartë se kjo vlerë aciditeti do të shkrinte dhe hekurin kur të precipitonte në tokë, pasi bëhet fjalë për një përqendrim të atillë të acidit që mund të gjendet vetëm e stimuluar në laboratorë dhe kurrsesi në natyrë. Për të sqaruar këtë koeficient vlen të theksohet se Ph nga vlera 1-7 nënkupton një masë me përmbajtje acide. Norma ndërkombëtare e Ph përcakton se për t’u krijuar shiu acidik, Ph duhet të jetë me koeficient 6-9. Jo vetëm kaq, por vetë normat ndërkombëtare paracaktojnë se kur niveli i Ph arrin në ujë koeficientin 4.5, atëherë “përvëlohen” të gjitha gjallesat nënujore. Kësisoj, koeficienti 3 i Ph (pehashit), i paraqitur në projekt, flet për një zonë ku nuk mund të ekzistojë jo vetëm asnjë gjallesë njerëzore, por edhe materiale si hekuri do të shkrihen dhe thërrmohen. Nisur nga kjo e dhënë, del qartë se kemi të bëjmë me një manipulim ekstra-amatoresk dhe tërësisht të gënjeshtërt. Po përse duhej paraqitur kjo zonë si një ambient i kontaminuar dhe toksik në një kohë që elementët e masivit të shesh-punimit pranë fabrikës nuk kanë asnjë lidhje me elementët kontaminues? Përgjigjja vjen kollaj nëse i referohesh përfitimeve që mund të vijnë nga një aksion i tillë.
Mafia ekologjike, hartuesja e projekteve fantazmë
Angazhimi i Bashkimit Europian për të zgjidhur problemet me zonat e kontaminuara dhe toksike është shprehur në dhënien e donacioneve prej disa miliona eurosh. Në këto kushte, paraqitja e projekteve të rreme mund t’i kthente menjëherë hartuesit e tyre në milionerë. Kjo ndodh pasi shumat financiare me gjashtë zero, që akordon BE-ja, jepen posaçërisht për faktin se po menaxhohet një situatë me rrezikshmëri të lartë, ndërsa dhe infrastruktura e izolimit të këtyre materialeve është shumë e kushtueshme. Por, në rastin kur të dhënat e materialit janë të rreme, rrjedhimisht i gjithë aksioni shndërrohet nga izolimi i një masivi të kontaminuar në një zhvendosje të zakonshme dheu në anën tjetër të lumit. “Albania” ka kontaktuar një numër të madh specialistësh dhe metalurgësh, të cilët jo vetëm kanë hedhur poshtë të dhënat e projektit, por kanë shtuar se problemi është tërësisht i stisur dhe inekzistent. Megjithatë, nga ana e Ministrisë së Mjedisit është dhënë pak javë më parë leja mjedisore për zhvendosjen e masivit të “kontaminuar”, ndërsa është vetë qeveria “Berisha” që në strategjinë e saj e ka konsideruar në korrik të vitit 2006 Uzinën e Rubikut si një terren industrial për të paktën dhe 15 vite të tjera.
Analizat, masivi shkëmbor nuk është i kontaminuar
Për masivin e pretenduar si të kontaminuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Europian, “Albania” ka mundur të sigurojë të dhëna shkencore që nuk flasin vetëm për përbërjen e tij në kohët e sotme, por edhe për përmbajtjen e tij që në kohën kur filloi të shtresëzohej. Të dhënat janë marrë nga buletine zyrtare të kohës sipas periudhës përkatëse. Qëkur filluan gërmimet në shkëmb për nxjerrjen e bakrit (i cili ndodhet në thellësi të skajshme të malit), ka filluar dhe shtresëzimi dhe ngjeshja e materialit shkëmbor të gërmuar. Ky proces është i ndarë në tri etapa. Etapa e parë filloi në vitin 1936, e dyta në vitin 1946 dhe etapa e tretë rreth viteve ‘70. Sipas të dhënave zyrtare, të gjitha sheshet e furrave të shkrirjes së Metalurgjisë në Rubik janë ndërtuar me mbushje sterile të dalë nga Miniera e Rubikut që në vitin 1936. Të dhënat zyrtare dhe përllogaritjet e bëra për këtë shtresë të parë nuk japin asnjë orientim lidhur me përbërjen nga ndonjë komponent kontaminues. Etapa e dytë filloi në vitin 1946, fill pas çlirimit, kur filloi të ravijëzohet dhe shtresa e dytë e masivit të shesh-punimit. Këto sheshe u zgjeruan me skorie, e cila dilte nga furrat e shkrirjes së mineralit. Etapa e tretë daton nga mesi i viteve ‘70-të e deri sot. Shtresa e krijuar gjatë gjithë kësaj kohe në shesh-punimin pranë impiantit të përpunimit përmban një sasi të konsiderueshme minerali dhe koncentrati të papërpunuar.
1 Mars 2008