E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlqimi dhe rënia e mareshallit Josif Broz Tito 6 vjet pas vdekjes

Gazeta amerikane sjell rrëfimet e një ish-diplomati perëndimor. Shpresat e kota për rigjallërimin e figurës së Titos dhe të Jugosllavisë
Ferguson M. Bordewich*

Më 9 maj të vitit 1985, poshtë qiellit lëviznin kolona të gjata të ushtarëve e marinarëve, që marshonin me hap të shtrirë mespërmes qendrës së Beogradit, kryeqytetit të Jugosllavisë. Luftëtarët kërcitnin këmbët duke mbajtur kokën lart. Tanket kishin dalë nëpër rrugët e kalldrëmta. Artileria fushore dhe makinat e blinduara gjëmonin teksa parakalonin përpara udhëheqësve të Republikave Jugosllave, anëtarëve të qeverisë një-partiake të vendit. Tani kalojnë veteranët e luftës partizane kundër nazizmit, shumica e të cilëve ishin barkmëdhenj dhe me syze.
Në kujtim të Mareshallit
Ajo ishte parada e parë ushtarake që Jugosllavia kishte parë në këtë 10-vjeçar, një krekosje teatrale e fuqisë dhe unitetit kombëtar, e ngjashme me ato të së kaluarës; në emër të nderimit të fitoreve të përgjakshme partizane në Luftën e Dytë Botërore. Valë pas vale, ushtarët dhe armët u derdhën në drejtim të portretit gjigant të Josip Broz Titos, babait të Jugosllavisë komuniste, teksa e shihnin nga poshtë me një vështrim atëror në këto festime simbolike. Në një zyrë, fare pranë itinerarit të paradës, një redaktor i “Borba”-s, gazeta më e madhe ditore, komentoi në mënyrë justifikuese: “Ju duhet t’i jepni popullit diçka që të festojë”.
Kur vdiq Tito në vitin 1980, pas më shumë se tri dekadash në drejtimin e vendit, bota i bëri atij homazhe. Kryetarët e vendeve të botës u mblodhën në funeralin e tij. Për kundërshtimin e hapur ndaj Stalinit në vitin 1948, Tito fitoi mbështetjen e fortë të Perëndimit. Për besnikërinë e tij te kauza socialiste ndërkombëtare, ai siguroi mbështetjen e Lindjes. Për të mbrojtur mosrreshtimin (në krah të komunizmit), ai fitoi admirimin e botës së zhvilluar. Në Jugosllavi ai ishte një ikonë e lartë e ekzistencës kombëtare; një figurë në shpërpjesëtime mitike. Ai kishte bashkuar një vend kontradiktor. E drejtoi popullin e tij drejt sukseseve të rëndësishme në edukimin, industrinë dhe industrializimin në një sistem të vetëmenaxhimit të punëtorëve, që komunistët jugosllavë pretendonin se ishte esenca e socializmit të vërtetë.
Ana tjetër e medaljes
Por Tito nuk ia doli me sukses t’ia lërë sië duhet Jugosllavisë, megjithëse ai kishte një qëllim të përhershëm: atë të bashkimit kombëtar, dhe ky ishte destinacioni i tij.
Ai la trashëgim te shteti një presidencë kolektive, një trup 9-anëtarësh i detyruar që të qeveriste me konsensus, që zëvendësohej çdo vit zyrtarisht me autoritetin më të vjetër, që njihej si president i Presidencës. Në të vërtetë, Presidenca zgjedh kryeministrin që shërben për një periudhë 4-vjeçare, megjithëse mbajtja e pozicionit të tij nuk ka autoritet të pavarur. Milka Planinç, kryeministrja aktuale me mandatin 4-vjeçar që e përfundon muajin tjetër, është respektuar nga shtetet kreditore të vendit (shtetet që i kishin dhënë borxhe Jugosllavisë, - shën. red.), por në shtëpinë e saj ajo kishte qenë në gjendje që të bënte më pak se sa të kërkonte konsensus nga udhëheqësit rajonalë, të cilët janë më tepër të interesuar për republikat e tyre se sa për shtetin në tërësi.
Ajo që la pas Josip Broz Tito
Në këta gjashtë vjet pas vdekjes së Titos, konfliktet dhe xhelozitë që kishin qenë pështjelluar nën mitin titist kanë marrë arratinë si sëmundjet e racës njerëzore nga kutia e Pandorës. Jugosllavia sot është një vend i kapërthyer nga grindjet e nacionalizmave, ringjallja e besimit, çrregullimet ekonomike, paralizat burokratike, pluralizimin e zhveshur të shtetit njëpartiak dhe neo-stalinit që i shtyp ata (republikat, shën. red.). Megjithatë, Tito për veten e tij vazhdon të jetë zyrtarisht në qendër të kriticizmit për politikat e tij që janë më së shumti përgjegjëse për shqetësimet e vendit të tij. Në fillimin e vitit 1970, Tito spastroi liberalët dhe novatorët nga partitë komuniste të republikave dhe i zëvendësoi ata në pjesën më të madhe të rasteve me qenie besnike joekzistente, që nuk kishin ndjekur dot as veten e tyre. “Nëse Tito do të kishte vdekur në fundin e viteve 1960, ai do të kishte marrë merita të mëdha në histori, si njeriu më i madh”, - konstaton një intelektual kritik në Beograd që ishte rrezikuar të ndëshkohej nga e folura e tij në mënyrë kaq të hapur. “Pas viteve ‘60, ai e ndaloi rrugën e reformave. Si rezultat, Jugosllavia e sotme është në mes të katër rrugëve. Milovan Djilas, i vetmi trashëgimtar i dukshëm i Titos, por që për tre dhjetëvjeçarë ishte shpallur disidenti më i madh i shtetit, ka shqyrtuar rrokje për rrokje të gjitha alternativat e tij: Jugosllavia duhet të transformojë në tërësi ekonominë e saj në një ekonomi moderne dhe të reformojë veten e saj brenda një federate me të vërtetë demokratike ose të rrezikojë rrëshqitjen në prapambetje, diktaturë dhe dhunë.
Si një diplomat perëndimor që kam qëndruar në Beograd, vëzhgova së fundmi: Ju nuk do të dëgjoni më fraza të qarta të çfarëdolloji rreth të ardhmes së ndritur komuniste të Jugosllavisë”. Shkrimi është publikuar në “The Neë York Times” më 13 prill 1986
Titulli është redaksional, ndërsa origjinali është: “Jugosllavia pa Titon”
Autori i shkrimit shkruan shpesh rreth çështjeve ndërkombëtare dhe është autor i një libri për Kinën komuniste

Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e së martës do të lexoni:
Jugosllavia, gjashtë vjet pa Mareshallin dhe shenjat e krizës së madhe

Prejardhja e Federatës Jugosllave dhe historia e formimit që në vitin 1918 me mbretërinë serbe

Si u zhvillua sistemi ekonomik i bazuar në politikat e ndjekura nga mareshalli Tito pas luftës

Investimet që bëri në republikat e ndryshme të Jugosllavisë dhe financimi në sektorë të ndryshëm

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›