E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet, kanosi me armë një person

FUSHË-KRUJË - Shtetasi Xhevahir Mulaj, 39 vjeç, lindur në Pukë e banues në Fushë-Krujë, është arrestuar nga policia për veprat penale të “kanosjes për vrasje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Burime nga policia e Fushë-Krujës thanë se 39-vjeçari Mulaj, kishte kanosur me armë zjarri një shtetas, pas një grindjeje për motive të dobëta. Pas veprimeve të para hetimore, në cilësinë e provës materiale u bllokua arma e zjarrit, automatik model 56, së bashku me një krehër me 30 fishekë.

Arrestohen, kanosën me armë dy vëllezërit

FIER - Dy të rinj nga qyteti i Fierit u arrestuan nga policia pasi ata akuzohen se kanë kanosur dhe më pas plagosur lehtë dy bashkëmoshatarë të tyre, me të cilët janë grindur për motive banale. Burimet zyrtare të policisë së Fierit thanë se “23-vjeçari Kelmend Kastrati dhe 27-vjeçari Gertian Zaho u ndaluan rreth orës 23:20 të së enjtes, nën akuzat e “kanosjes dhe plagosjes së lehtë me dashje dhe armëmbajtjes pa leje". Dy ditë më parë, në vendin e quajtur “Ura e Sheqit”, kanosen me armë dhe plagosen vëllezërit Skerdi dhe Olsi Dervishaj. Policia bëri të ditur se nga kontrolli i ushtruar në mjetin që drejtohej nga 27-vjeçari Zaho, u gjet një pistoletë TT.

Prangoset, u dënua 3 vjet burg për mashtrim me vizat

KORÇË – Më në fund ka rënë në pranga dhe do të vuajë dënimin për mashtrim me 3 vjet burg pasi rezultoi se ishte fajtor duke u marrë lekë disa shtetasve për nxjerrje të vizave greke. Burime të policisë lokale thanë se "26-vjeçari Altin Xhangolli, lindur në Shënepremte të Gramshit dhe banues në fshatin Dishnicë të rrethit të Korçës, ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e rrethit të Korçës më 28 dhjetor të vitit të kaluar”. Të njëjtat burime thanë se 26-vjeçari u dënua pasi në muajin maj të vitit të kaluar kishte mashtruar 6 shtetas, banues në fshatin Pojan (Korçë), duke u marrë atyre nga 100 euro secili, me premtimin se do t’u nxirrte viza në konsullatën greke në Korçë.

Droga në Kakavijë e çon në 5 numrin e të arrestuarve

GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës ndaloi në orët e para të mëngjesit të djeshëm tre persona, të cilët dyshohet të jenë organizatorë të trafikimit në Greqi të 25 kg lëndëve narkotike të llojit Cannabis sativa. Me ndalimin e 3 personave, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, shkon në 5 numri i të ndaluarve për trafikimin e 25 kg Cannabis, që u zbulua dy ditë më parë në gomën rezervë të kamionit tip “Scania”, me targë FR 9789 B. Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit, 38-vjeçarin Dhimo Koraj dhe 30-vjeçarin Aristotel Selfo, lindur në Gjirokastër dhe emigrant në Greqi, i cili udhëtonte me automjetin ku u gjet droga.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›