E Diel, 1 Nëntor 2026

Një familje shqiptare në kërkim të pasardhësit të tyre anglez

Një boom gjetjesh, lot gëzimi dhe emocionesh të jashtëzakonshme kanë karakterizuar studion e “Njerëz të humbur” në Vizion Plus të shtunën e kaluar. Një prej tyre ishte Ervin Elezaj, i cili do të udhëtonte në drejtim të Turqisë dhe do të humbiste kontaktet me familjen po nga ky shtet. Ervin Elezaj, aktualisht 25 vjeç, nga Berati, niset drejt Stambollit së bashku me familjen e tij më 14 tetor të vitit 1997. Lagjja “Bajram Pasha” do të shndërrohej në strehëzën e përkohshme të Ervinit. Aty ai punonte në një dyqan mishi dhe u ambientua shumë shpejt me gjuhën dhe mjedisin turk. Më 4 shtator të vitit 2003, Ervini komunikon në telefon me të motrën, së cilës i tha se ishte shëndoshë e mirë, kishte filluar aplikimin për dokumente, madje do të largohej së bashku me disa shokë për pushime në Spanjë. Kjo do të ishte telefonata e fundit me Ervinin. Kërkimet intensive të stafit të Aida Shtinos arritën të rrëzojnë pistën e Francës pasi në të gjitha vendet e përmendura në emision nuk ekzistonte asnjë gjurmë e Ervinit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Teksa Aida ka qenë duke biseduar me familjen e Ervinit, pas disa minutash ato kanë dëgjuar pas pesë vitesh zërin e tij. Nëna do ta krahasonte këtë moment të njëjtë me atë të 26 viteve më parë, kur Ervini ka ardhur në jetë. Biseda ka qenë tejet emocionuese mes familjarëve dhe Ervinit. Arsyet dhe motivet ato ranë dakord që t`i sqaronin më vonë, por të shtunën e kaluar nëna dhe motra dolën nga studio e “Njerëz të humbur” në Vizion Plus me lajmin e gjetjes së Ervinit pas pesë vitesh mungese pranë gjirit të tyre. “Njerëz të humbur”- emisioni më popullor i transmetuar direkt çdo të shtunë në valët e Vizion plus - u ka lënë gjithmonë një hapësirë të veçantë krijesave, të cilët vijnë në momente të ndryshme të jetës së tyre, të ndier krejt të vetëm, për të gjetur atë dashuri që u ka munguar që në lindje. Historia e Laura Zekthit fillon më 7 korrik të vitit 1978, kur ajo erdhi në jetë në Maternitetin e Tiranës. Nëna e saj e quajti Mirlinda, por kur u birësua në moshën 9-muajshe ajo u quajt nga prindërit që e rritën Laura. Në moshën 15-vjeçare, Laura mëson të vërtetën e jetës së saj nga një mik i familjes së prindërve të saj birësues. Laura i beson historinë e saj stafit të këtij emisioni me shpresën se nëna e saj do ta shikonte dhe do të vinte ta takonte pas 29 vitesh. Trajtimi i këtij rasti në “Njerëz të humbur” pati mjaft telefonata. U fol për një vendndodhje të mundshme të nënës së Laurës në disa qytete të Shqipërisë. Askush nuk e priste momentin kur Aida Shtino, teksa po bisedonte me Laurën, i tha asaj: “Ne ta kemi gjetur nënën“. Nëna e Laurës hyri duke u dridhur nga tuneli i dritës teksa vajza e saj fliste ende me drejtuesen e emisionit. Pas pak minutash, nënë e bijë u përqafuan me mall e lot duke u larguar nga studioja e “Njerëz të humbur” në Vizion Plus dorë për dore. Pas një shekulli, duket se familjes Murra nga Vlora po i buzëqesh fati.Nata e së shtunës ka sjellë të rejat e fundit për pjesën tjetër të fisit të mbetur në Turqi, duke ringjallur shpresa të venitura prej kohësh. Për herë të parë, gazetarët kanë arritur të depërtojnë në regjistrat turke të viteve 1900 dhe të zbulojnë identitetin e ri të familjes Murra. Në fakt, asnjëherë nuk ka qenë e sigurt se çfarë mbiemri kanë mbajtur ata mbas ikjes nga Konica në drejtim të Stambollit. Më në fund është mësuar se në vitin 1934, me anë të një ligji të posaçëm për ndryshimin e mbiemrave të të gjithë emigrantëve në Turqi, mbiemri i tyre ka ndryshuar nga Murra në Dum. Nevruz Murrës duket se tashmë po i plotësohet një amanet i vjetër i të atit, i cili vdiq me brengën që nuk e takoi kurrë familjen e tij. Detajet më të fundit lexuesit do t`i mësojnë javët në vazhdim. Sonte në “Njerëz të humbur” do të mund të ndiqni: Pamje dhe intervistë ekskluzive nga varrezat e Kastoriasë, ku mendohej se ka qenë i varrosur trupi i Bledion Terpollarit. Një 25-vjeçar nga Vlora humb kontaktet me familjen në muajin qershor të vitit 2002 nga Hollanda. Ndërsa bënte një jetë të rregullt, përse i shkëput lidhjet me familjen Dorian Nurçe!? E braktisur para 49 vitesh nga nëna e saj biologjike, Sasha Vjosa troket në “Njerëz të humbur” për të mësuar të vërtetën. Këto dhe të tjera ju ftojmë t`i ndiqni sonte, në orën 21:00, në “Njerëz të humbur” nga Aida Shtino në Vizion Plus.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›