E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet në Kinë mumia 2100-vjeçare

Trupi ishte i zhytur në 80 litra lëng të verdhë dhe të mistershëm. Mumia e Çangshasë nuk qe surpriza e vetme e zbulimit arkeologjik
Hans Benussi
Në një varr kinez, që u përket viteve 178-145 para Krishtit, zbulohet një hartë gjeografike aq e saktë, sa duket një aerofotogrametri dhe trupi çuditërisht i paprekur i Xin Zhui, Zonja e Dai-t, e zhytur në 80 litra lëng të verdhë dhe të mistershëm. Kur arkeologët hapin varre të lashta, ndoshta të vjetër mijëra vjet, mund t'i ndodhë të bëjnë zbulime interesante që hedhin dritë mbi jetën e përditshme të të parëve tanë, duke dhënë nganjëherë prova të reja dhe të jashtëzakonshme se njohjet e atyre që na kanë paraprirë nuk ishin aq të prapambetura në krahasim me ato të botës bashkëkohore. Në provincën kineze të Hunan-it, në qytetin lindor të Çangshasë, në vitin 1971, ndërsa vazhdonin punimet për heqjen e dheut për ndërtimin e një rruge, disa punëtorë ndeshën, me traktorët gërmues në disa objekte të mëdha. Të thirrur me urgjencë në vendngjarje, arkeologët rikthyen në dritë varrin nr. 1 të Mawangdui-t, që i përket dinastisë Han, me brendi krejtësisht të mumie të gjinisë femërore, e mbështjellë në 20 pëlhura mëndafshi, e zhytur në rreth 80 litra të një lëngu të çuditshëm verdhacak dhe e ruajtur shumë mirë, përfshirë vijat e duarve krejtësisht të dallueshme, flokët, nyjëzimet e lëvizshme. Të gjithë studiuesit që e analizuan mumien (që është më mirë ta quajmë kufomë duke parë gjendjen e jashtëzakonshme të ruajtjes së saj) thonë që solucioni i verdhë, i panjohur, në të cilin ishte e zhytur, e ka ruajtur në mënyrë perfekte kufomën e Zonjës së Dai-t, Xin Zhui, që vdiq rreth viteve 178 dhe 145 p. K., gruaja e kryeministrit Li Cang, e vdekur rreth moshës 50-vjeçare. Kur mjekët e Universitetit të Çangsha-së kryen një autopsi mbi kufomën, mbetën krejtësisht të habitur duke vërejtur një reagim të indeve nga injeksionet, sikur vdekja e gruas të kishte ndodhur vetëm pak ditë më parë. Por ekipi mjekësor mbeti akoma më shumë i habitur duke zbuluar se struktura qelizore dhe organet e brendshme ishin akoma në gjendje shumë të mirë dhe arriti në përfundimin se ngjyrimi verdhacak i lëngut nuk ishte pasojë e një çngjyrimi të indeve, kjo sepse muskujt ishin akoma krejtësisht elastikë. Sipas mjekëve kalimi i padëmtuar nga ana e kufomës i provës kohore të mbi 20 shekujve është njëlloj mrekullie, që nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë me njohjet aktuale mjeko-shkencore, pra, një mister origjinal. Një nga mjekët që analizoi kufomën tregoi se ka provuar një prekje të thellë, deri në të qarë, duke ledhatuar fytyrën e gruas fisnike të vdekur dymijë vjet më parë. Aktualisht mumia është e ekspozuar në Muzeun e Historisë së Hunan-it. Në muret e sallës janë të ekspozuara edhe fotografitë e autopsisë së bërë dhe në një diçiturë vihet në dukje se përbërja e lëngut të verdhë në të cilin u gjet e zhytur mumia është akoma e panjohur. Mumia e Çangshasë nuk ishte surpriza e vetme që ndodhi gjatë zbulimit arkeologjik. Në fakt, brenda vitit, përveç punimeve me dorë, veshjeve dhe enëve të punuara këndshëm, u zbuluan të paktën edhe dy elementë të tjerë të jashtëzakonshëm, teksti taoist me vlerë "I Ching" i shkruar mbi mëndafsh dhe një hartë gjeografike e jashtëzakonshme. Kjo hartë, që njihet nga ekspertët si më e lashta në botë e gjetur deri tani, është me formë katrore, me anë të gjata 96 centimetra. Në hartë paraqiten zonat e provincave të Guanxi, Guangdond dhe Hunan, duke paraqitur dhe zonën që përmban rrethin e Daoxian, luginën e lumit Xiao, deri në periferinë e qytetit Nanhai. Harta (në shkallë 1:180000) ka një shkallë shumë të lartë kujdesi dhe saktësie, krejtësisht e paimagjinueshme për nivelet kartografike dhe njohjeve të asaj kohe. Disa studiues madje kanë vërejtur një ngjashmëri të pabesueshme të hartës me aerofotogrametritë moderne ose me imazhet satelitore. Fatkeqësisht, duke parë prirjen e pakët për bashkëpunim shkencor ndërkombëtar të qeverisë kineze, zbulimi mahnitës i Çangshasë është pak i njohur në Perëndim, aq sa edhe fotografitë e pakta që kemi janë fryt i shkrehjeve të bëra nga privatët (si Gerd Kaminski, studiues austriak i historisë kineze) në Muzeun e Hunan-it.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›