E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në tregun “çam”: Ta nxjerrim vendin nga kriza

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me tregtarët e “tregut çam”. I shoqëruar nga drejtues të LSI-së, Meta takoi nga afër të gjithë tregtarët, duke u ndalur në të gjitha stendat dhe u interesua për ecurinë e biznesit të tyre. Duke bashkëbiseduar me një nga tregtaret e këtij tregu, Meta u njoh me vështirësitë ekonomike që përballet dita-ditës familja e saj. Ajo e informoi kryetarin e LSI-së që sikurse edhe ajo, ka shumë tregtarë të cilët edhe pse janë invalidë detyrohen të dalin të treg për të siguruar disa të ardhura për të jetuar, dhe që mallin e tyre e kanë marrë me fatura të palikuiduara. Sipas kreut të LSI-së, është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe për pushtetin vendor për të krijuar një klimë krejt tjetër për biznesin e vogël, sidomos për këtë lloj aktiviteti me të cilin merren shumë njerëz. “Në mënyrë të veçantë është e rëndësishme se invalidët, të cilët për të jetuar detyrohen të merren me këtë aktivitet dhe nuk përballojnë dot ilaçet e tyre”, tha ai. Gjatë takimeve të zhvilluara me tregtarët, Meta u informua që shumë biznese të tilla të detyruar nga kushtet ekonomike dhe nga xhiroja e pakët që bëhet janë detyruar të falimentojnë dhe të mbyllin dyqanet. “Ju e shikoni se këtu kemi dhe qepena të mbyllur, që janë biznese që kanë falimentuar, kanë dështuar dhe kjo tregon që Shqipëria është në krizë. Ne jo vetëm duhet ta njohim krizën nga afër, gjë sikurse për fat të keq nuk e bën Kryeministri aktual, por duhet ta nxjerrim vendin nga kriza dhe të krijojmë një klimë të re për biznesin, të krijojmë një optimizëm dhe një besim edhe tek konsumatori, në mënyrë që ekonomia të dalë nga ky ngërç dhe të fillojë të lëvizë”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›