"Luftë" motorëve të ujit, në aksion skafet e policisë
DURRES/ OERD ULQINI
Tre skafe të policisë kufitare të Durrësit, që nga mesdita e djeshme kur u është komunikuar zyrtarisht urdhri, kanë nisur "gjuetinë" ndaj motorëve të detit. Në shënjestër të operacionit që do të zgjasë deri më 15 shtator, do të jenë të gjitha ato mjete që lundrojnë në ujëra të cekëta, plot me pushues. Pa kaluar as 24 orë nga plagosja e rëndë e turistit kosovar, Sabit Kuçi, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe e Migracionit në Durrës, i "shpall luftë" motorëve të ujit, të cilët lundrojnë me shpejtësi të madhe në plazhet e dyndura nga turistët. Që nga ky moment, scooter-at e detit do të mund të lundrojnë vetëm në ujëra të thella, (të paktën 500 metra larg bregut). Ndërsa gjatë manovrës për t'u ankoruar në breg, kur u afrohen pushuesve, drejtuesit e tyre duhet të ecin me minimumin e gazit. Ngjarja e dy ditëve më parë, kur një "pirat" deti aksidentoi rëndë me motor uji një pushues 38-vjeçar nga Kosova dhe më pas u zhduk me shpejtësi maksimale nga vendngjarja, ka vënë në alarm strukturat e policisë kufitare. Urdhri është i prerë, nëse do të konstatohen shkelje të kësaj natyre që rrezikojnë jetën e pushuesve, atëherë veç ndjekjes penale të drejtuesit të mjetit, motori i detit do t'i nënshtrohet sekuestros konservative. Për të zbatuar sa më mirë këtë strategji, Drejtori i Policisë Kufitare të Durrësit, komisar Naim Manuka, u ka dërguar kërkesën për bashkëpunim bashkive dhe komunave bregdetare. Kjo, në mënyrë që policia bashkiake apo komunare që patrullon plazhet e Kavajës, Golemit, Rrashbullit, Durrësit dhe më gjerë, të sinjalizojë në rastin më të parë skafet e kufirit që patrullojnë në det. "Nuk ka asnjë tolerancë. Nga ky moment, të lundrosh me shpejtësi afër pushuesve me motor uji do të thotë të prishësh rëndë rendin publik. Urdhri është i prerë, ata motorë duhet të lundrojnë larg, në të kundërt do të bllokohen që të gjitha pa përjashtim. Për këtë kërkojmë bashkëpunimin nga toka të policive bashkiake dhe komunare që patrullojnë rërën e plazhit. Ne me tre skafet tona do të veprojmë në det, me të marrë sinjalizim", tha në një konferencë për shtyp, Drejtori Rajonal i Kufirit dhe Migracionit, Naim Manuka. Ngjarja që ka ndodhur në sektorin "Hekurudha" të plazhit të Durrësit, pranë pistës së njohur me emrin "Breshka", ka sjellë frikë te pushuesit. Ata ndihen të pasigurt, pasi ky lloj sporti duhet të ushtrohet në thellësi të mëdha, larg pushuesve dhe jo aty ku lahen të moshuar dhe fëmijë.