E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina rrëzohet në Bistricë, humb jetën 25-vjeçari

 

SARANDE - Makina rrëzohet në lumin e Bistricës, vdes drejtuesi, shpëton pasagjeri. Ngjarja e rëndë ndodhi afër mesnatës së të enjtes, në vendin e quajtur kanali i Çukës, në dalje të Sarandës. Një makinë tip BMË, me targë të Fierit, humbi kontrollin në kohën kur po ecte mbrapsht, duke përfunduar në ujërat e Bistricës, në vendin ku derdhet lumi në detin Jon. Menjëherë, të njoftuar nga dëshmitarë të shumtë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të Komisariatit të Policisë së Rendit Sarandë, Repartit të Zjarrfikëses, ambulanca të urgjencës "Stefan Mekshi", ndërkohë që të parët që kanë ndërhyrë kanë qenë efektivët e Policisë Kufitare. Ata janë gjendur me skaf pranë vendit të ngjarjes. Ndërhyrja e mjeteve të tjera ka qenë pothuajse e pamundur për shkak se automjeti kishte rënë nga një lartësi rreth 120 metra e kishte përfunduar në lumë, pranë grykëderdhjes së tij. Nga automjeti i përmbysur janë nxjerrë, trupat e dy të rinjve, njeri prej të cilëve i pajetë. Viktima Ilia Qëndro, 25 vjeç mësohet se ishte biznesmen i bojërave dhe i një pike servisi në fshatin Karahaxh të Delvinës, ndërkohë që i plagosuri, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut, quhet Oltion Jaçe, banor i Sarandës. Burime pranë seksionit të Policisë Rrugore, bëjnë të ditur se shkak i këtij aksidenti fatal ka qenë humbja e kontrollit dhe dalja nga rruga.                 sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›