Luftë në kufi me Greqinë, trafikantët godasin policinë fqinje
Tre kuintalë hashash u bllokuan në Greqi, në një zonë jo më shumë se 300 metra nga toka shqiptare, pasi katër personat që e transportonin u arratisën në errësirë pas disa minutash luftë me policinë greke
Trafikantë të hashashit ende të paidentifikuar janë përplasur me armë me policinë greke dje në mëngjes, pak metra larg vijës kufitare shqiptare në zonën e Qafë-Botës. Edhe pse kanë mundur të largohen, droga që trafikonin ka mbetur pas dhe është sekuestruar nga policia greke, e cila ndërkohë ka njoftuar homologët shqiptarë për emrat e mundshëm të trafikantëve.
Burime nga policia greke thanë se katër persona të paidentifikuar qëlluan me armë automatike ndaj policisë, në një betejë që ka zgjatur disa minuta në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pranë kufirit greko-shqiptar, ku këta ishin rrethuar nga forcat e rendit që dyshonin se ata transportonin drogë. Ngjarja ndodhi vetëm 300 metra nga pikëkalimi i Qafë-Botës, në vendin e quajtur Loridha, midis Konispolit dhe Igumenicës. Duke përfituar nga errësira, personat që besohet se ishin shtetas shqiptarë, mundën të arratiseshin në brendësi të territorit tonë.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes policia gjeti vetëm gëzhojat e kallashnikovit dhe thasët e braktisur të hashashit me peshë prej 337 kilogramësh. Në komunikatën e policisë greke mësohet se pas sinjalizimit të marrë nga një peshkatar vendas, një patrullë policie rrethoi katër trafikantët, me qëllim që të kontrollonte nëntë thasët që ata transportin, por si përgjigje për thirrjet e tyre për të ndaluar morën breshëri automatiku.
Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrja ishte planifikuar me kujdes dhe trafikantët mundën të largoheshin vetëm falë njohjes shumë të mirë të terrenit, gjë që bën të mendohet se rruga ishte bërë shumë herë prej tyre më parë. Nga shkëmbimi i zjarrit, të paktën në vendngjarje nuk janë konfirmuar viktima. Drejtoria e Policisë së Epirit tha se ka kontaktuar edhe me autoritetet kufitare shqiptare, për t’i informuar lidhur me situatën dhe emrat e të dyshuarve si autorë të kësaj ngjarjeje.