Vidhnin makina për t’i shitur në Kosovë, goditet banda
2 persona janë arrestuar dhe dy janë shpallur në kërkim, me akuza për vjedhje makinash, të cilat më pas shiteshin në Kosovë. Policia sekuestron katër mjete
Një grup prej katër personash dyshohet se kanë vjedhur më shumë se 9 automjete luksoze në kryeqytet, nëpërmjet një skeme të mirëmenduar. Policia e Tiranës ka arritur të vërë në pranga 2 të rinj dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi dyshohet se kanë vjedhur të paktën 9 makina në rrugët e Tiranës. Operacioni i koduar “Tuneli” ka hetuar për disa muaj aktivitetin e të rinjve dhe ka rezultuar se ata kanë grabitur në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit disa makina. Personat e arrestuar janë: Ermal Laçi, 22 vjeç, banues në Bardhoc të Kukësit; Jonuz Hoxha, 24 vjeç, banues në Bicaj të Kukësit, i dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë që personat e shpallur në kërkim janë: Xhavit Beraj, 34 vjeç, banues në Tiranë; dhe Vilson Laçi, 38 vjeç, banues në Bardhoc, Kukës. Policia ka dokumentuar deri më tani 9 vjedhjet, të realizuara prej tyre, ndërkohë që po punohet për të dokumentuar të tjera vjedhje nga ky grup.
Ndërkohë gjatë kontrollit në banesat e tyre në Badhoc dhe Bicaj, Kukës, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës katër makina, “një “Golf.3“, me ngjyrë gri; një “BMW“, ngjyrë vishnje; dhe dy mjete “Benz 250”, me ngjyrë të zezë dhe gri”, njoftoi dje policia e Tiranës. Mësohet se automjetet pasi vidheshin në Tiranë çoheshin në një pikë parkimi dhe më pas dy djemtë nga Kukësi i merrnin dhe i çonin automjetet drejt Veriut, ku mendohet se i trafikonin më pas në Kosovë.
Pas kapjes në flagrancë të katër automjeteve në shtëpitë e dy prej të dyshuarve në Kukës, policia ka marrë në pyetje të rinjtë, në përpjekje për të zbuluar të tjerë bashkëpunëtorë të tyre edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa hetuesit dyshojnë se dy të arrestuarit dhe dy të rinjtë e shpallur në kërkim janë pjesë e një rrjeti të organizuar të shitjes dhe trafikimit të automjeteve drejt Kosovës. Akti më i fundit i katër të dyshuarve mendohet se është konsumuar më datë 16 nëntor 2011, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, ku kanë vjedhur automjetin “Golf.3”, me targa Tr.7024 P, ndërsa po në këtë datë në rrugën “At Zef Pllumi”, kanë vjedhur automjetin “Golf.3”, me targa Tr. 1849 K. Këto dy vjedhje të fundit kanë qenë të “monitoruara” nga ana e policisë, e cila më pas ka kapur në flagrancë automjetet e vjedhura së bashku me të tjera automjete në shtëpitë e dy prej të dyshuarve në fshatrat e Kukësit.