Luftëtari pa mëshirë ndaj Gramozit, vendosin Devolli dhe Nora
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, realizon dygolëshin e katërt këtë sezon, duke u ngjitur kështu në kuotën e 9 golave
Luftëtari Gramozi 4-0
Shënues: Devolli 5, Nora 35, 55 (11-metërsh), Peçi 91 (autogol)
Luftëtari: Selimaj, Gaxhaj, Sinani, Lazo, Zholi, Devolli, Stoja, Pjetrani, Braho (Lluka 71), Mersini (Shehaj 71), Nora (Grabova 80).
Trajner: M. Hysi.
Gramozi: Dervishi (Lice 39), Fasko, Lamaj, Peçi, Kodra (Çelikja 51), Bilibashi, Omeraj, Shupe (Hysolli 61), Saliko, Musabelliu, Nelaj. Trajner: I. Qirajako.
Gjyqtarë: E. Hoxha (Lezhë), M. Qeseri, D. Salaj (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Fasko, Çelikja
Goli i Devollit, dygolëshi i Norës dhe autogoli i Peçit, i kanë dhanë dje Luftëtarit fitoren pokeristike me Gramozin. Një minutë heshtje është mbajtur para ndeshjes për monarkistin L.Zogu dhe republikanin S.Godo, që ndërruan jetë ditët e fundit. Ndeshja pritej me interesim të madh, edhe pse ekipet në renditje, por më terpër në përbërje, kanë ndryshime të konsiderueshme në favor të të parit.
Por Luftëtari vinte pa Ramadanin, Bacin, Raboshtën, Çaçon, Shalarin dhe Brahimin, pra pa gjysmën e titullarëve. Ndeshja është luajtur në një terren rrëshqitës nga shirat, ndërkohë që përballë tribunës qëndrore ka krijuar atmosferë grupi i tifozëve ekstremistë të Luftëtarit me fishekzjarre, parulla dhe banderola.
Kapiteni Devolli, nga e majta e sulmit, ekzekuton një goditje dënimi afër këndores dhe topi prehet në të majtë të Dervishit. Është minuta e 5-të dhe këtë gol të rrallë vetëm Devolli mund ta realizonte. Është goli i tij i parë dhe ai bëhet golashënuesi i 7të i ekipit gjirokastrit. Vetëm në minutën e 28-të, kapiteni tjetër, Shupe, ka rrezikuar për Gramozin, por ka fituar vetëm një këndore.
Futbollistët e Gramozit zihen shpesh në pozicion jashtë loje. Braho sulmon nga e djathta, mbrojtësit kundërshtarë i heqin topin, por Nora, që e ndjek aksionin, i çon shifrat në 2-0. Dëmtohet portieri Dervishi, që ndërrohet detyrimisht dhe përcillet në spital me autombulancë. Katër minuta shtesë, por pjesa e parë mbyllet 2-0.
Bilibashi rrezikon i pari pjesën e dytë, por pa rezultat, ndërsa Nora fiton një 11-metërsh, që e ekzekuton vetë dhe 3-0. Ai realizon dygolëshin e 4-t dhe arrin në kuotën e 9 galave. Më pas ai gjuan nga larg dhe portieri Lice pret me vështirësi. Pranë golit është Hysolli, por Selimaj tregohet akrobat.
Në të 78-ën Devolli thyen traversën me një silur nga larg. Në shtesë ai ekzekuton një goditje dënimi nga e majta dhe e detyron Peçin të shënojë në portën e tij. Përfundimisht, 4-0. Një fitore që jep frymëzim për në vazhdim.
Trajnerët
Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Lojtarët i realizuan detyrat, edhe pse terreni ishte i rënduar dhe kishim mungesa të shumta. Arritëm një fitore të merituar dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.
Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: Çahet portieri në kokë dhe gjyqtari vazhdon lojën. Diçka unikale, që vetëm në Gjirokastër ndodh. Nuk kam gjë tjetër për të thënë.
