E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lugina e kukullave” edhe në shqip

16/06/2009  “Lugina e kukullave” është titulli i romanit sensacional të Jacqueline Susann, i botuar më 1966. Ai është vlerësuar si një nga romanet më të suksesshme të të gjitha kohërave. Më 1967 sipas subjektit të këtij romani u realizua filmi dramatik me të njëjtin titull, ku interpretuan aktore të famshme të Hollivudit, si Barbara Parkins, Sheron Teit dhe Pat Djuk.

Romani “Lugina e kukullave” pati një sukses të paparashikueshëm që kur u botua për herë të parë dhe në vazhdimësi, duke u shitur mbi dhjetëra milionë kopje në mbarë botën. Si romani i parë i një autoreje femër, që arriti këto nivele të kaq të larta shitjeje, hapi rrugën edhe për autore të tjerë për të përshkruar me një penë të fuqishme letrare në librat e tyre jetën e vërtetë private të njerëzve të pasur e të shquar të Amerikës.

Në fillim “Lugina e kukullave” nuk u pranua nga botuesit, subjekti u quajt i papërshtatshëm për kohën. Po kur libri u botua më 10 shkurt 1966, korri një sukses të jashtëzakonshëm me personazhet e guximshme dhe paraqitjen e tyre jotradicionale. Ndodhitë dhe krijimi i personazheve në libër, nga sa thuhet, është bazuar në jetën e vërtetë të "yjeve" të famshme të atyre viteve si Nili o’Hara është frymëzuar nga Judy Garland, ai i legjendares Helena Louson të kujton Ethel Mermanin, kurse ai i yllit Xhenifer North, Carole Landis-in dhe Eni supozohet të jetë modeluar sipas karakterit të Grace Kelly-it,

Vepra pati një sukses të menjëhershëm, që e ruajti edhe me kalimin e kohës, duke thyer shumë rekorde shitjesh, ndaj u vlerësua si libër bestseller i përhershëm. Nga këndvështrimi kulturor u bë një pikë referimi krahasuese, ndonëse disa e konsideronin mënyrën e të shkruarit të Susanit si të pacipë. Romani sensacional i Jacqueline Susanit shënoi lindjen e një lloji të ri romani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›