E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai denoncon zhdukjen e vajzës adoleshente

16/06/2009  Maturantja u largua më 13 qershor

TIRANE- Një vajzë maturante është zhdukur në rrethana ende të paqarta dhe familja është vënë nën alarm duke denoncuar në polici humbjen e saj. Lajmi u bë i ditur sot nga burime zyrtare tek komisariati i policisë nr. 6 në kryeqytet. Mësohet se dy ditë më parë, shtetasi Ramadan Allaraj, 55 vjeç, banues në fshatin Prush, komuna Vaqar, ka bërë kallëzim penal. Allaraj ka denoncuar se rreth orës 09:00 të datës 13 qershor, i është larguar nga banesa vajza Rrushe Allaraj, 18 vjeçe. Policia tha se menjëherë pas denoncimit nisi të punojë për gjetjen e Rrushe Allarajt, por deri tani, nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e saj, kurse hetimi po vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Për lokalizimin e vendosjes së saj, uniformat blu të policisë së Tiranës kanë shoqëruar në ambientet e policisë të gjithë rrjetin shoqëror të 18-vjeçares, të cilët pasi kanë deklaruar përpara grupit hetimor janë lënë përsëri të lirë. Aktualisht punonjësit e policisë nuk kanë mundur të zbulojnë vendndodhjen e adoleshentes, por ata shprehen se gjetja e saj pritet të kryhet në ditët në vazhdim. Të dhënat karakteristike të saj si dhe një fotografi u është shpërndarë të gjithë komisariateve të Tiranës si dhe pikave të kalimit kufitar të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›