Lugina si kusht për Serbinë

Gjatë një takimi të mbajtur në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje të martën me Shoqatën “Vatra” është biseduar për tema të ndryshme, por njëra nga temat më kryesore ka qenë paralajmërimi i dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se kombi shqiptar në Luginë të Preshevës është pjesa më e harruar e kombit shqiptar dhe është fatkeqësi e madhe që kombi shqiptar në Luginë të Preshevës përballet me regjimin shtypës dhe të padrejtë serb i vetmuar dhe pa ndihmën e cila duhej të ishte më e fuqishme nga ana e Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare.
Për më tepër, ai ka shtuar se shqiptarëve të Luginës së Preshevës edhe më herët iu është premtuar nga negociatorët e sotshëm që do të përfshihet si temë në gjitha negociatat. Mirëpo, sipas Konjufcës, shqiptarët e atjeshëm gjithmonë kanë qenë të mashtruar nga elitat politike me të cilat kanë negociuar me Serbinë.
Madje, ai ka thënë se duhet një bashkëpunim institucional i bashkërenduar i Prishtinës dhe i Tiranës për mbrojtjen e Luginës dhe për të penguar regjimin serb që të ushtroj atje politikat diskriminuese në punësim, arsim, në çështjen e identitetit kombëtar në çështjen e simboleve.
Sipas tij, Kosova duhet të kushtëzojë bisedimet me Serbinë me çështjen e Luginës së Preshevës dhe më çështje të tjera.
“Unë thash që të kushtëzohen bisedimet me Serbinë në çështjen e Luginës, por ky është vetëm njëri prej kushteve nuk është i vetmi Lugina e Preshevës kemi ne shumë kushte për Serbinë. Serbia duhet të njohë së pari Kosovën ashtu që të shkojmë drejt asaj që Brukseli po e quan normalizim të marrëdhënieve. Nuk ka normalizim të marrëdhënieve me atë që të lufton dhe që i fut strukturat brenda teje ilegale për të luftuar sovranitetin dhe pavarësinë tënde, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kështu”, ka theksuar Konjufca.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Vatra”, Sejdullah Kadriu, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të përdor autoritetin e saj në kushtëzimin e bisedimeve, në mënyrë që të përfshihet edhe Lugina e Preshevës.
“Kosova Lindore është mbetur jashtëzakonisht pas dore si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina ndërsa ne kërkuam që Lëvizja Vetëvendosje të përdor autoritetin e saj në kushtëzimin që i ka tash shumë të vendosura, ndoshta të futet edhe si kushtëzim të futet edhe Kosova Lindore ose të mos bisedohet fare me Serbinë. Që mos të bisedohet fare me Serbinë ka arsye, sepse ende nuk jemi në baraspeshë me ta, sepse Serbia po insiston që e ka veriun në kontroll edhe Kosovën Lindore gjithashtu në njërën anë apo tjetër të i marr të dyjat ndërsa ne shqiptarët të mbesim pa asnjërën”, ka deklaruar Kadriu.
Ndërkohë, duke folur për të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore, Kadriu ka thënë se ai popull ka mbetur pas dore në pikëpamje politike, ekonomike, kulturore dhe për këtë as nuk interesohet Prishtina dhe Tirana zyrtare.
Ai u ka bërë apel që në të ardhmen të insistohet që të investohet më shumë se sa deri tash që ai popull të jetë i banuar me shqiptar. Sipas Kadriut nëse vazhdohet kështu mund të vjen deri më e keqja që ajo pjesë të mbetet si Medvegja që kanë mbetur rreth 600 banor.