Obama mund t’i bëjë bashkë Jahjagën e Nikoliqin?

Burime të “Kohës Ditore” kanë thënë se pritjet e mëdha për takimet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë zbehur, për shkak të diskutimeve në Bruksel dhe mosgatishmërisë së palëve, por që nga e hëna e ardhshme shpresohet se megjithatë do të lëvizë diçka në çështjen e dialogut.
Një zyrtar evropian, i afërt me procesin, në kushte anonimiteti, ka thënë për “Kohën Ditore” se po bëhen përpjekje që gjatë darkës që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, do të shtrojë për krerët e shteteve më 24 shtator, në New York, të ketë një shtrëngim duarsh mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq.
Ndonëse simbolik, sipas këtij zyrtari, shtrëngimi i duarve do të shënonte edhe përshëndetjen e parë publike të dy liderëve të të dyja vendeve që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.