E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Kreditimi ndaj sektorit private u rrit me 7.5 miliardë lekë



Ervin KOÇI

Bankat private e kanë rritur gjatë muajve të fundit nivelin e kreditimit të ekonomisë, ku përparësi i kanë dhënë më tepër sektorit të biznesit. Por megjithatë ekspertët bankarë flasin për një nivel kreditimi disa herë më të ulët se sa ai i vitit 2008, ku niveli i kreditimi të ekonomisë ishte në kulmin e tij. Sistemi bankar shqiptar gjatë 5 viteve të fundit ka shfaqur rritje të ndërmjetësimit financiar në vend. Gjithsesi krahasuar me fundin e vitit 2008, portofoli i kredisë është rritur me 7.5 miliardë lekë. Por kjo sasi mbetet përsëri rreth 5 herë më pak se e njëjta periudhë një vit më parë. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë shpjegojnë se nivelet e larta të rritjes së portofolit të kredisë kanë ndikuar në rritjen e raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto i cili në muajin maj 2009 arriti në 39 për qind. Për pjesën më të madhe të vitit 2008 ritmet e larta të portofolit të kredisë krijuan një hendek pozitiv krahasuar me prirjen historike. Pakësimi i fondeve të bankave (sidomos në valutë) dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë.

Rritja e kreditimit

Në muajin maj rritja vjetore reale e kredisë shënoi 19 për qind, në krahasim me 33 për qind në muajin dhjetor 2008. “Në këtë ecuri mendohet të kenë ndikuar vështirësitë e bankave për gjenerimin e likuiditeteve të nevojshme për kredidhënie, rritja e kredive me probleme si dhe efekti i sektorit fiskal, i cili gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një kërkesë e lartë për financim, si pasojë e rritjes së dukshme të shpenzimeve fiskale”, - theksojnë ekspertët e BSH-së. Rritja vjetore nominale e portofolit të kredisë arriti në 27 për qind. Ngadalësimi i kredisë në terma nominalë shfaqet më i moderuar se norma reale, për shkak të ndikimit pozitiv që ka dhënë në portofol zhvlerësimi i lekut ndaj valutave kryesore krahasuar me një vit më parë.

Kredimarrësit

Më shumë se 34 për qind e shqiptarëve që kanë nevojë për hua nuk u drejtohen bankave, por tregut të zi. Sipas BSH-së, 68 për qind e kredimarrësve u drejtohen bankave dhe institucioneve të tjera, jo banka, por të licencuara për këtë qëllim. Ndërsa pjesa tjetër, që është plot 34 për qind, përdorin tregun e zi për kreditim, ku shpeshherë janë marramendëse. Shpeshherë bankat dhe institucionet e tjera të kreditit nuk janë aq të shpejta për të plotësuar nevojat emergjente të një individi për hua. Të marrësh kredi në banka duhen plotësuar disa procedura dhe shpeshherë këto shoqërohen me një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, konsumatorët shpeshherë kanë nevojë për pagesa emergjente, për shlyerjen e të cilave nuk mund të sigurojnë likuiditete nga bankat. Kjo çon në kredimarrjen në të zezë, duke krijuar kështu një hendek në tregun financiar që nuk ka mundësi të kontrollohet dhe as të mbikëqyret.

Ankandi, më datë 17 nëntor dalin në shitje 12.5 miliardë lekë bono

Banka e Shqipërisë do të zhvillojë më datë 17 nëntor ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të qeverisë. Burime nga Departamenti i Operacioneve Monetare pranë kësaj banke bëjnë të ditur se në këtë ankand do të shiten bono me afat maturimi 6 dhe 12-mujorë, kundrejt një vlere të përgjithshme prej 12.5 miliardë lekësh. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet që nuk i mbulon dot nga të ardhurat. Aktualisht, qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5-vjeçare. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë theksojnë se ruajtja e primeve të larta të rrezikut për afatet e gjata si dhe ekzistenca e një tregu të cekët financiar, kanë qenë arsyet kryesore që kanë mbajtur në nivele të larta yield-et afatgjata të letrave me vlerë të qeverisë. Nga ana tjetër, këto nivele kanë tërhequr investimet e individëve drejt këtij tregu, duke ju krijuar atyre një instrument alternativ për ruajtjen e kursimeve dhe duke rritur peshën e financimit të deficitit buxhetor nga ky grup.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›