E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e pjesshme, qeveria miraton 6145 kuota pranimi



Jonida Tashi

Miratohen kuotat dhe tarifat e shkollimit për studimet me kohë të pjesshme dhe në distancë, për vitin akademik 2009-2010. në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur që kuota e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2009-2010, të jenë 6145. Sipas vendimit të qeverisë, kuota totale e pranimeve do të ndahet në katër drejtime të veçanta. Më konkretisht, kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme do të jenë 5905; Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë, 40; Kuotat për transferim studimesh, 100; Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe për shtetas të tjerë të huaj, 100.
Shpërndarja
Bazuar në propozimet e bëra nga universitetet shtetërore, kuotat e mësipërme të miratuara nga qeveria do të shpërndahen nga Ministria e Arsimit në secilin prej tyre. Por, qeveria ka vendosur tashmë kushtin që duhet të ndiqet për ndarjen e tyre. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, kuota e çdo programi studimi do të ndahet në raportin 2:1, përkatësisht, për pranimet e reja, për programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe për pranimet e reja, për programe të dyta studimi. Ndërsa kuotat për transferim studimesh, do të shpërndahen nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve publike të arsimit të lartë. Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe, si dhe të kërkesave individuale të këtyre shtetasve.
Aplikimi
Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron Dëftesë Pjekurie apo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, ekuivalente me të, ka të drejtë të kandidojë për në programet e studimit e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në universitetet publike të vendit. Ndërsa për kandidatët që duan të transferojnë studimet e pjesshme nga një universitetet në tjetrin, pranimi i tyre bëhet nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, në përputhje me kriteret e përcaktuara e të bëra publike paraprakisht. Kandidatët, që dëshirojnë të ndjekin studimet, me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, brenda kuotës së përcaktuar, e fitojnë këtë të drejtë, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë universitetet publike.
Tarifat
Në mbledhjen e djeshme qeveria ka miratuar edhe tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2009-2010, për çdo program studimi dhe institucion publik të arsimit të lartë. Sipas vendimit ende të pazbardhur të qeverisë, tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2009-2010, nuk do të jenë të njëjta me kandidatët që i nisin studimet e pjesshme si fakultet i parë. Nga tarifa e shkollimit do të përjashtohen kandidatët, të cilët fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2009-2010, që u përkasin këtyre shtresave shoqërore, si të verbrit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë e tetraplegjikë, kryefamiljaret (gratë) me fëmijë, kandidatët, që vijnë nga familje, të cilat trajtohen me ndihmë sociale, si dhe fëmijët, që gëzojnë statusin ligjor të jetimit. Këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore. Studentët do e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve, që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj, që do të vazhdojnë studimet në një program studimi, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare, shtetërore, janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat.

Kuota totale e pranimit për studimet e pjesshme
Kuota e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2009-2010, do të jetë 6145.
Ndarja
Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme do të jenë 5905;
Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë, 40;
Kuotat për transferim studimesh, 100;
Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe për shtetas të tjerë të huaj, 100.

Shkolla profesionale e Shkodrës, qeveria akordon 42 bursa

Ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë, se nxënësit e shkollave profesionale do të përfitonin bursa pa kriter gjatë këtij viti shkollor, qeveria ka akorduar vetëm 42 bursa për shkollën e mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër. Konkretisht në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është vendosur që Ministria e Arsimit të japë 42 bursa për këtë shkollë profesionale, nga të cilat, 16 do të jenë për nxënësit e viteve të para, 12 për nxënësit e viteve të dyta dhe 14 për nxënësit e viteve të treta. Vlera e bursës të jetë 680 euro për nxënës, në vit, për shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Fondi për mbulimin e këtyre bursave do të kalojë nga Ministria e Arsimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale, Shkodër. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, në mbështetje të kritereve ekonomike dhe të rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant. Bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në Drejtorinë Arsimore Rajonale, Shkodër, e cila pas konfirmimit të nxënësve, që përfitojnë bursë, e derdh vlerën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.

Universiteti Politeknik
Inxhinieria e Ndërtimit, hapet Doktoratura në “Arkitekturë-Urbanistikë”

Hapet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, të Universitetit Politeknik të Tiranës, programi i studimeve, të ciklit të tretë, të Doktoratës në “Arkitekturë–Urbanistikë”. Në përfundim të këtij programi studimesh lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr) në “Arkitekturë–Urbanistikë”. Ky program studimi do e fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010. Kohëzgjatja e këtij programi të studimeve të Doktoratës është, të paktën, 3 vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin 2009, është 14, nga e cila dy kuota caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit. Tarifa e shkollimit për këtë program studimi është 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.

Universiteti i Durrësit
Miratohet Doktoratura për “Shkencat ekonomike” në Fakultetin e Ekonomisë

Hapet në Fakultetin e Ekonomisë dhe Administrimit, të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, programi i studimeve, të ciklit të tretë, të Doktoratës në “Shkencat ekonomike”. Në përfundim të këtij programi studimesh do të lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në “Shkencat ekonomike”. Ky program studimi do e fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010. Kohëzgjatja e këtij programi të studimeve të Doktoratës është, të paktën, 3 vite, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin 2009, është 30, nga e cila dy kuota caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit. Tarifa e shkollimit është 200 mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›