Regjistri i bizneseve, INSTAT-i do të mbledhë të dhënat për të gjitha subjektet
Ervin KOÇI
Bizneset dhe të gjitha subjektet private në vend do të kenë më në fund një regjistër të dhënash për gjithë veprimtarinë e tyre që nga nisja e aktivitetit. Regjistrimi do të realizohet nga Instituti i Statistikave me qëllim përpilimin e një baze të dhënash në shërbim të zhvillimit të politikave mbi bizneset në vend. Gjatë procesit të regjistrimit të këtyre njësive, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm, do të merren të dhëna të cilat kanë të bëjnë me, vendndodhjen, pronësinë, veprimtarinë që ushtron, numrin e të punësuarve, xhiron e bërë, si dhe të dhëna ta tjera ekonomike. Po ashtu pjesë e regjistrimit do të jenë edhe të dhënat e ofruara nga Qendra Kombëtare të Regjistrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ajo e Doganave dhe institucione të tjera shtetërore. Krahas orientimit të politikave, qëllim tjetër për të cilin kërkohet regjistrimi është edhe marrja e të dhënave të besueshme për çdo njësi, në mënyrë që të krijohet një bazë të dhënash edhe për njësitë e qeverisjes vendore.
Procesi i regjistrimit
Pas fillimit të procesit të regjistrimit të të dhënave mbi subjektet, periudhë kjo që pritet të vendoset me anë të akteve të tjera nënligjore, administratorët ose pronarët e bizneseve janë të detyruar që të ofrojnë informacion të sakte pasi në të kundërt do të përballen me sanksione. Në projektligj përcaktohet se INSTAT-i do të jetë organi kryesor i ngarkuar për kryerjen e regjistrimit. Ky i fundit do të punojë nën mbikëqyrjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit, i cili do të ngrihet posaçërisht për këtë qëllim. Krahas kësaj INSTAT-i parashikohet të bashkëpunojë edhe me organet e qeverisjes vendore, zyrat e tatim-taksave, etj. Ashtu si edhe përcaktimi i afateve edhe përgjegjësitë e secilit prej këtyre organeve, do të përcaktohen me anë të akteve nënligjore që pritet të dalin në një periudhë tjetër. Hartimi i një projektligji për regjistrimin e ndërmarrjeve ekonomike, krahas të tjerave, duket se është bërë edhe për ta sanksionuar me ligj mundësimin e të dhënave nga bizneset.
Projektligji
Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, disa ditë më parë, drejtues të Institutit të Statistikave i janë referuar këtyre vështirësive të hasura në terren për vjeljen e informacionit nga bizneset duke e cilësuar të domosdoshëm hartimin e regjistrit të ndërmarrjeve. Sipas tyre, rreth 70 për qind e bizneseve në vend refuzojnë t'i ofrojnë të dhëna INSTAT-it për aktivitetin e tyre privat. Gjithashtu këta të fundit kanë deklaruar se në rastet kur vërejnë një mungesë bashkëpunimi nga subjektet tregtare përpiqen që të sigurojnë të dhënat në mënyra të tjera siç janë ato nga tatimet, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, etj. Krahas kësaj, gjatë raportimit drejtuesit e INSTAT-it kanë bërë të ditur se ka nisur puna edhe për regjistrimin e popullsisë. Një statistikë kjo e cila krahas gjeneraliteteve do të përmbajë të dhëna për punësimin, gjendjen e banesave, etj. Procesi i regjistrimit të popullsisë pritet të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme.
14 Nentor 2009