Cilësia e karburantit, IQT-ja kërkon ndryshimin e procedurave për gjobat
Kreu i ri i Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti ka kërkuar me ngulm disa ndryshime ligjore në procedurat e ekzekutimit të gjobave apo bllokimit të aktivitetit për abuzuesit me cilësinë e karburanteve. Ai i është referuar disa shembujve nga vendet e rajonit, duke shtuar se këto masa do të jepnin impakt të menjëhershëm në normalizimin e situatës në treg. Vetëm vitin e fundit rezultojnë pa vjela gjoba për cilësinë e karburantit që në total shkojnë në rreth 300 mijë dollarë. Sipas tij, nga kontrollet e ushtruara dy javët e fundit nga Inspektorati Qendror Teknik në pikat e karburantit në kryeqytet është konstatuar se rreth 15 për qind e tyre kanë probleme serioze me cilësinë. Sipas kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti, cilësia e karburantit në treg mbetet një problem mjaft shqetësues, jo vetëm për konsumatorët, por edhe për bizneset. “Kemi nisur një aksion për të parë situatën në treg, kemi kryer rreth 300 kontrolle,”- shprehet Joti. Një prej grupimeve më të mëdha të industrialistëve, Konfindustria ka përllogaritur se dëmi që shkaktohet ndaj konsumatorit dhe sipërmarrësve nga abuzimi me cilësinë e karburantit është të paktën 150 milion euro në vit, pa përfshirë vjedhjen në vëllim apo çmim.
14 Nentor 2009