Luksi i hapjes së kutive
Zgjedhjet e qershorit të vitit 2009 për në Kuvendin e Shqipërisë prodhuan në mjedisin politik shqiptar një situatë të ndryshme në dukje nga zgjedhjet e shkuara. Por vetëm në dukje. U duk se gjithçka do të shkonte mirë dhe situata e rezultateve të përafërta e të ngushta në mes dy partive kryesore krijoi një përmbajtje për kontestim dhe në krye të herës pranimin nga të dyja palët të rezultateve dhe deklarimin e tyre sipas standardeve. Kjo, edhe për një arsye elementare, pasojë direkt e hartimit dhe propozimit nga opozita të Kodit Zgjedhor, bashkëpunimi nga të dyja palët për Kodin, me gjithë kontestimin e vazhdueshëm të të vegjëlve.
Sajesa
Sinjali i lëshuar nga deputeti i LSI-së, Prifti, për bashkëqeverisje me PD-në përmbysi situatën dhe nxori në foltore opozitën me sinjalet e para për kontestim. Qartazi kuptohet se zgjedhjet nuk do të ishin kontestuar nga opozita, nëse Ilir Meta dhe LSI nuk do të kishin konfirmuar koalicionin me Berishën, e cila përkthehet thjesht se PS kishte planifikuar nevojën e një koalicioni të mundshëm me PD-në. Koalicioni nuk rrezikonte karrigen e kryetarit të PS-së, të parashikuar në statutin e saj për t’u lëshuar në rast humbjeje të zgjedhjeve. Përjashtimi nga mundësia për të qenë fitues edhe në rastin më të keq si pjesë e koalicionit, detyroi Ramën të dilte para publikut, në fillim me njëfarë hezitimi, për kontestimin e procesit zgjedhor etj., pretendime të kësaj natyre që tashmë kemi plot shtatë muaj që i dëgjojmë. Habia e të gjithëve e fillimit filloi të davaritej falë ngulmimit dhe ashpërsimit të gjuhës së liderit të opozitës, falë përpjekjeve të tij jo dhe aq për të qenë pjesë e qeverisjes, por për të mos humbur kolltukun e kryetarit të PS-së. Kjo nevojë e ngutshme provokoi dhe sajesën e shitjes së komisionerëve të PS-së (përfytyroni 20.000 komisionerë!) e të pavërteta të tjera të sajuara, ky turp i ngrënë me bukë na bëri qesharak në sytë e të gjithëve.
Objektivi
Mbajtja me çdo kusht e postit të kryetarit të PS-së, thjesht e vetëm, luftë e përpjekje në emër të interesit të përgjithshëm, për të realizuar interesin personal të një njeriu, Ramës. Loja me transparencën e procesit zgjedhor, gjoja largimin nga e shkuara e zgjedhjeve me probleme e të tjera arsye që në dukje qëllimmira, shërbejnë e maskojnë qëllimin final të Ramës për të mbajtur nën hyqëm PS-në.
Rrugët e realizimit
Politika e rrugës, e vetmja mundësi zgjedhjeje. Rrugët e tjera si përfshirja në Parlament etj., duke i bërë llogaritë mirë në interes të Ramës, sigurisht që nuk do të funksiononin. Bojkoti mbetej e vetmja alternativë. Është gjithmonë më e lehtë të manipulosh opinionin publik dhe anëtarët e simpatizantët sesa organizmat e politikëbërjes apo të nxitësh ndjeshmërinë e faktorit të rëndësishëm ndërkombëtar. Arsyeja është mungesa totale e fakteve për kontestimin e zgjedhjeve. Nëse i thërrasim kujtesës e bëjmë një bilanc, del që më shumë argumente për parregullsi mblodhën vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it sesa komisionerët, anëtarët apo ushtarët e PS-së gjatë procesit zgjedhor. Përfundimisht, mungonin të gjitha arsyet për të bindur faktorët e interesuar se zgjedhjet ishin të parregullta.
Aksioni
Politika e terrorit mbi deputetët e pamandatuar, mbi gjithë kryesinë dhe anëtarësinë e partisë. U ngrit zëri duke u bërë thirrje të bindeshin se zgjedhjet i ishin vjedhur PS-së. Realisht, në fillim ishin të paqartë dhe konfuzë, as dhe vetë nuk e besonin se do t’u përgjigjej elektorati dhe anëtarësia, pasi ishin të bindur se zgjedhjet nuk ishin vjedhur. Vetë PS është po aq fajtore nëse pranojmë se zgjedhjet janë vjedhur. Përmendim Mendimin Ndryshe që ishte realist e jo ekstremist pa kuptim.
Nga faktori ndërkombëtar mundën të shkëpusnin për gjatë kohës asgjë tjetër, vetëm një nënqeshje të lehtë edhe ajo diplomatike e pa as edhe një shenjë të qartë mbështetje apo kundërshtimi.
Për Ramën, pa qenë nevoja të kujtojmë rrugën e përshkuar deri më sot të kësaj farse, nuk kishin asnjë interes pasojat e kësaj ndërmarrjeje jashtë tij. Qëllimi justifikon mjetin gjeti zbatim më mirë se kurdo në këtë zhvillim të këtyre shtatë muajve, të udhëhequr nga Rama.
Produkti i hapjes së kutive
Hamendësojmë vetëm për pak se ç’mund të ndodhë nëse pozita bie dakord të shkelë ligjin e të dalë mbi Kushtetutën, duke hapur kutitë. Marrim në konsideratë e përfillim këtu edhe premtimin e opozitës se nuk do të kërkohet ndryshimi i qeverisë e të tjera të kësaj natyre.
Për çdo ditë të atij procesi të riverifikimit të votave, për edhe një “parregullsi” fare të parëndësishme e banale, do të kemi në pafundësi reagime e zhurmë me qëllimin e vetëm pengimin dhe errësimin e punës së qeverisë. Tërheqjen e vëmendjes nga punët e shumta e realizimet e mëdha, çuarjen e vënien në qendër të vëmendjes për katër vjet rresht si u vodhën, a u vodhën, votimi me dhunë e arsye pa fund edhe kur mungojnë, të sajuara, për të dëmtuar, për të realizuar përgjunjen e qeverisë e mundësisht dërgimin e vendit sa më parë në zgjedhje të parakohshme.
Rezultat i mirë vetëm për qëllimet e kolltukun e Ramës, por assesi të vendit e të politikave të tij për integrimin evropian.
Fshirja e gjithçkaje të bërë e të planifikuar për t’u bërë, janë të vetmet qëllime dhe arsye, nëse realizohen, që mund ta sjellin Ramën në krye të qeverisë e të justifikojnë sundimin e tij në PS.
A nuk është ky një luks i tepërt dhe i panevojshëm edhe për zotin Rama? Pasojat që vijnë nga hapja e kutive, e shkatërrojnë gjithçka të bërë deri tani nga të gjitha palët, jo vetëm nga PD-ja. Kësaj i thonë me ndërgjegje të plotë të pengosh integrimin e vendit në politikat e përfshirjes në Bashkimin Evropian, të mos realizohet liberalizimi i vizave, asgjë të mos arrihet që i shërben vendit e popullit shqiptar. Të zvarritemi e të udhëhiqemi nga qëllimet e vogla e meskine të një zotnie, që në rrafshin kombëtar, nuk përbën as edhe një vlerë krahasuar me interesat e kombit. Me këtë mënyrë, mbahet vëmendja vetëm tek Shqipëria e kjo në ritmikë vetëm për keq, e largon atë nga integrimi dhe po ashtu bën që të harrohet Kosova e problemi shqiptar. Kjo është e pafalshme, ndaj t’i thuhet ‘jo’ e të mos lejohet kurrsesi kjo farsë të marrë jetë. T’i jepet njëherë e përgjithmonë fund talljes me këtë vend e këtë popull, të cilit nuk i numërohen vuajtjet e pabesitë e shkaktuara nga të tjerët, por më shumë nga “bijtë” e vet.