E Diel, 1 Nëntor 2026

Me pistoletë në gjimnaz për të qëlluar rivalin, ndalohet adoleshenti

Me pistoletë në gjimnaz për të qëlluar një nxënës tjetër, pas një sherri banal të nisur midis të dyve. Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi në Mamurras, nëse policia nuk do të kishte ndërhyrë në kohë për ta parandaluar. Sipas burimeve nga policia, dy adoleshentët D.Gj. dhe E.K. kishin nisur të konfliktoheshin me njëri-tjetrin kohë më parë. Të dy ishin nxënës të vitit të tretë të gjimnazit “Migjeni” në Mamurras. Me fillimin e mësimit ditën e djeshme, ata kanë nisur të debatojnë dhe më pas të përleshen fizikisht. Me ndërhyrjen e nxënësve të tjerë sherri midis tyre është mbyllur. Por, kjo nuk ishte fundi i ngjarjes, thjesht fillimi i një ngjarjeje që mund të përfundonte keq. Adoleshenti E.K. është larguar nga gjimnazi dhe është kthyer më pas në shkollë. Ka shkuar tek “rivali” i tij brenda në godinën e shkollës dhe ka nxjerrë një pistoletë të tipit “Zastava”, të cilët e kishte të fshehur. E ka drejtuar tek D.Gj., por për fat arma nuk ka shkrepur. Një ngjarje që shkaktoi shumë rrëmujë dhe frikë brenda në ambientet e shkollës. Por, adoleshenti nuk e ka lënë më kaq. Ka dalë sërish nga shkolla dhe më pas është futur sërish me armën e zjarrit. Ndërkohë, të informuar për situatën e frikshme, mësuesit e shkollës së mesme kanë lajmëruar menjëherë policinë e qytetit, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes. Ata kanë bllokuar E.K., ndërsa ky po drejtohej sërish tek kundërshtari i tij duke i rrëmbyer armën, e duke arrestuar atë në flagrancë. Një ndërhyrje e shpejtë e policisë, e cila shmangu tragjedinë brenda ambienteve të gjimnazit. Jeta e gjimnazistit të vitit të tretë u shpëtua, kjo nga fati i mirë, por edhe nga bllokimi i sulmuesit të tij.
I riu u shoqërua në komisariat, ndërsa u bllokua një pistoletë e tipit “Zastava”. U ngrit një grup hetimor, për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë së rrethit. Sjelljet dhe veprimet e adoleshentëve në vend po bëhen gjithmonë e më të dhunshme. Vetëm dy ditë më parë, një 22-vjeçar u qëllua me thikë nga një adoleshent, pas një sherri të nisur midis të dyve. Ndërkohë që janë të shpeshta rastet e plagosjeve në moshat e reja. Ndërsa një problem është mentaliteti dhe agresiviteti i tyre i dhunshëm gjithmonë e në rritje, një problem tjetër janë edhe armët e zjarrit dhe ato të ftohta që nuk është e vështirë të sigurohen, si dhe siguria në shkolla. Edhe pse nga Policia e Shtetit janë marrë masa për të parandaluar krimet, gjë e cila u arrit ditën e djeshme, shqetësues mbetet fakti për sjelljen e dhunshme të adoleshentëve dhe arsyet që çojnë në të tillë reagim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›