E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shantazhi, skenar i Berishës apo alibi e opozitës?

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE,
kujtuan sot dy liderët politikë në vend, ti japin fund krizës në tryezën e
bisedimeve dhe të angazhohen për reforma në drejtim të integrimit evropian të
Shqipërisë. Deklarata e Ambasadës së SHBA në Tiranë, mbështet fortë dhe qartë
Rezolutën e Këshillit të Evropës dhe rolin e Presidentit Topi në zgjidhjen e
kësaj krize. Ndërkohë Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka provokuar
sërish opozitën duke konsideruar krizë bojkotin e opozitës dhe jo refuzimin për
hetimin e zgjedhjeve, të cilin kërkon opozita"

Mero
Baze*

Disa ditë para takimit të parë mes dy liderëve
politikë për zgjidhjen e krizës, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Jozefina
Topalli kërcënon opozitën me heqje mandatesh, nëse kriza nuk zgjidhet deri më 4
mars. 

Në një dalje publike sot në Tiranë zonja
Topalli bëri të qartë se Partia Demokratike nuk e shikon zgjidhjen e
krizës nga bisedimet dhe hetimi i zgjedhjeve, por nga data 4 mars, e cila sipas
saj është një datë, që i jep fund mandateve të kësaj liste deputetësh dhe ofron
një zgjidhje të re përmes ofertës për deputetë të tjerë socialistë.

Deklarata, e cila është provokimi më i rëndë
që i është bërë klimës së bisedimeve, për të cilat po investohet komuniteti
ndërkombëtar, në të vërtetë reflekton dhe mentalitetin më antidemokratik
të mundësisë me të cilin zoti Berisha përpiqet të shantazhojë opozitën. 4
Marsi nuk është as ndonjë datë që djeg mandate dhe as ndonjë kufi kushtetues
për deputetët e mandatuar të opozitës.

4 Marsi është vetëm një shpikje për shantazh
që Berisha ka prodhuar për të justifikuar përpjekjet e tij për të përçarë
opozitën. Kriza politike nuk ka ardhur nga cilësia e 6 deputeteve të parë të
listës së PS apo shkëlqimi i 65 deputeteve të dytë të asaj liste, por nga fakti
që janë cenuar standardet e zgjedhjeve.

Për këtë shkak kriza do të zgjidhet kur
shumica të pranojë hetimin dhe jo kur të zgjedhë vetë 65 deputetë që ajo mendon
se i duhen asaj si opozitë e emëruar. Nëse ka ndonjë shans që opozita e
tanishme dhe Edi Rama të marrin njëqind për qind mbështetje ndërkombëtare dhe
kombëtare pa asnjë hezitim, është shans që shumica të tentojë të bëjë atë që
thotë pa menduar gjatë zonja Topalli.

Ai është skenari më i keq për Berishën dhe
alibia më e fortë politike për opozitën të zgjedhë rrugën më radikale pa kthim
duke e futur vendin ndoshta në krizën më të thellë që do të njohë ndonjë herë
në demokraci. Fakti që Berisha përdor për të shantazhuar opozitën, Kryetaren e
Parlamentit, e cila frustrimet që i vijnë nga rrezikimi i karrierës së saj
brenda PD-së kërkon ti kthejë në problem kombëtar, e dëmton
parlamentarizmin shqiptar edhe më shumë se sa bojkoti.

Fakti që ne kemi një kryetare parlamenti, e
cila çështjen e demokracisë dhe parlamentarizmit, e lidh me numra, me bordero,
me makina dhe shoferë, e jo me parime politike, është shenja e parë që
parlamentarizmi ynë ka rrëshqitur në batak. 

Nga ana tjetër ky shantazh që na turpëron edhe
si i tillë, i jep të drejtën morale opozitës të zgjedhë rrugët ekstreme të
presionit mbi shumicën për të realizuar kërkesën e saj, duke e çuar dhe më tej
krizën në vend. Por mbi të gjitha 4 marsi dhe shantazhi i Berishës me të janë
dhe një shpikje tjetër antikushtetuese në emër të Kushtetutës.

Berisha, i cili ka thyer rekorde të shkeljes
së Kushtetutës dhe Kushtetutshmërisë në këtë vend, gjatë këtij mandati, para se
të lëshojë rrugëve zonjën Topalli në rolin e Tellallit të Kushtetutës, duhet
ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar ligjshmërinë e
shantazhit të tij.

I bindur se është ai që po shkel kushtetutën
qoftë dhe duke bërë shantazh me të, Berisha në të vërtetë po vetëzgjedh rrugën
më të keqe, tek e cila duan ta drejtojnë kundërshtarët e tij, te tradita e tij
e keqe e emërimit të opozitës dhe eliminimit të saj përmes opozitës së emëruar.
Kaq shumë dëm kundër tij, sa çpo bën ai vetë dhe ndihmësit e tij, nuk
mund të bënte asnjë koalicion opozitarësh.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë
personale

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›