Në pranga tre pedagogë, shisnin një 5 për 250 mijë lekë
Tre pedagogë në dy universitete të Tiranës e mbyllnin njërin sy tek studentët mbetës, nëse në xhepat e tyre vendosej një zarf me para. Për “hallexhinjtë” nuk kishte mundësi tjetër, nëse provimi ishte shumë i vështirë për t’u mësuar apo ata donin ta merrnin lëndën shpejt e shpejt e pa u lodhur, një pesë kushtonte 250 mijë lekë. Megjithatë, “biznesi” i tyre i jashtëligjshëm ka përfunduar ditën e djeshme, gjatë dy operacioneve të zhvilluara nga prokuroria e rrethit në bashkëpunim me policinë e Tiranës.
Arrestimi
Policia e kaloi provimin e saj, madje mori dy provime në një ditë, duke arrestuar 59-vjeçarin Astrit Frakulla dhe Vasil Kashutën, të dy profesorë pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës si dhe Astrit Barën, 36 vjeç, pedagog në Fakultetin e Infermierisë. Ndërkohë, veç tre pedagogëve, gjatë operacioneve “Provimi i suksesshëm 1 e 2” u ndaluan edhe 4 persona, mes tyre edhe dy studentë dhe dy sekserë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, hetimet kishin mbi shtatë muaj që kishin filluar nga ana e policisë dhe e prokurorisë. Të përfshirë në hetim janë rreth 30 studentë. Pedagogët kishin “njerëzit” e tyre, të cilët kryenin rolin e sekserit dhe grumbullonin paratë. Policia ka arritur të mbledhë fakte gjatë tri provimeve të fundit të zhvilluara. Në cilësinë e provës materiale për të dyja procedimet janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm fletë provimesh të bardha, si dhe dokumentacione përkatëse, të cilat vërtetojnë përfshirjen e tyre në këtë veprimtari kriminale. Ndërkohë që po vazhdohet nga puna për ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këto vepra penale. Sipas burimeve nga policia, priten arrestime të tjera në ditët në vazhdim.
Rasti i Kamzës
Prej nëntë muajsh, policia e Tiranës dhe prokuroria e rrethit kishin nisur hetimet në lidhje me veprimtarinë korruptive të dy pedagogëve dhe katër personave të tjerë në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Ditën e djeshme ata u komunikuan masën e arrestit gjashtë personave, pas përfundimit të hetimeve dhe finalizimit të aksionit “Provimi i suksesshëm 1”. Kështu, në bazë të vendimit të gjykatës së Tiranës u vendos masa “arrest shtëpie” për dy pedagogët Astrit Frakulla, 59 vjeç, dhe Vasil Kashuta, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Nga policia u ndaluan edhe 39-vjeçari Fatmir Çuni, me detyrë nënoficer, 50-vjeçari Kujtim Balla, i punësuar në Universitetin Bujqësor Kamëz, të cilëve iu komunikua masa “arrest me burg”. Të përfshirë në këtë aktivitet korruptiv ishin edhe studentët P. Elezaj dhe D. Dodaj, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe do të ndiqen në gjendje të lirë. Nga hetimet e kryera, dy studentët dhe të ndaluarit e tjerë ishin personat të cilët ndërhynin tek pedagogët për të marrë shuma parash që kapnin shifrën e 250 mijë lekëve të vjetra në këmbim të një note kaluese për provimin.
Infermieria
Pas shtatë muajsh hetimesh, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, policia dhe prokuroria finalizuan operacionin policor të koduar “Provimi i suksesshëm 2”, ku vunë në pranga 36-vjeçarin Astrit Bara, me detyrë pedagog dhe infermier pranë spitalit nr. 2 Tiranë. Ndaj tij u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i tij u krye pasi në bashkëpunim me pedagogë të Fakultetit të Infermierisë, në periudha të ndryshme kohore, ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, duke u marrë ryshfet shumën prej 200 mijë lekësh të vjetra për provim, studentëve mbetës, të cilët studionin pranë Fakultetit të Infermierisë Tiranë. Sipas burimeve nga policia, në këtë aktivitet korruptiv në Fakultetin e Infermierisë ka persona të tjerë të përfshirë, por për arsye hetimore emrat e tyre nuk bëhen publikë.
Të arrestuar
Pedagogë në Kamëz
Astrit Frakulla
Vasil Kashuta
Pedagog te Infermieria
Astrit Bara