E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të grisësh burkën

Qeveria franceze tha se nuk do t’i japë nënshtetësinë një marokeni, pasi kishte detyruar gruan e tij, qytetare franceze, që ta mbulonte edhe fytyrën.
Vendimi i Kryeministrit Fillon vjen në kohën kur janë shtuar debatet publike për ndalimin e burkës dhe mbulimit të fytyrës në Francë.
Është tunduese ideja që të ndalohet përdorimi i burkës dhe nixhabit, veshje këto për gratë myslimane, ku mbulohet edhe fytyra.
Por, fakti që gratë të tregojnë më shumë pjesë të trupit apo fytyrës në publik, a i bën ato më franceze?
Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut. A nuk do të thotë liria individuale edhe liri në veshje?
Por, çështja është më e ndërlikuar sesa thjesht dëshira e gruas për t’u veshur si mendon.
Franca nuk është e interesuar për këto veshje, kur ato janë elemente të vetëshprehjes, por kur ato kthehen në mjete shtypjeje.
Është interesante të thuhet se kritikat më të zëshme ndaj Francës, për të ashtuquajturën luftë kundër burkës, vijnë nga demokracitë e tjera.
Presidenti Obama, qershorin e kaluar në Kajro, duket se foli direkt për Parisin kur tha se “është e rëndësishme që vendet perëndimore të mënjanojnë sjelljet, të cilat i pengojnë qytetarët myslimanë të praktikojnë fenë e tyre apo nga diktimi i veshjes për gratë myslimane”.

Nëse do ta shihnim problemin thjeshtësisht, zoti Obama ka të drejtë. Por, duket se ai ka harruar faktin se veshja e tillë nuk është gjithmonë zgjedhje e grave myslimane.

Në këtë rast, nuk është e qartë nëse të drejtat e njeriut përmirësohen nëse lejohet një zakon që pengon gjysmën e popullsisë të vishet sipas dëshirës.

Karl Poper duket se e ka përmbledhur paradoksin në fjalë, në mënyrën më të mirë.

Ai shkruan: “Nëse u ofrojmë tolerancë pa kufij edhe atyre që janë jotolerantë, nëse nuk jemi të përgatitur të mbrojmë shoqërinë tolerante nga jotolerantët, atëherë toleranti do të shkatërrohet e bashkë me të edhe toleranca”.

Natyrisht, ekziston dhe rreziku tjetër që shteti të shkojë shumë larg duke
“çliruar” njerëzit, të cilët nuk ndihen të shtypur.

Demokracitë liberale perëndimore prej shumë kohësh e kanë pranuar me ligj se gratë dhe burrat janë të barabartë në të drejta dhe detyrime.

Diktati kulturor që nuk i lejon gratë të kenë të njëjtat të drejta si burrat, është në kundërshtim me parimet e demokracive liberale.

Në këtë kuptim, Franca nuk është gabim kur këmbëngul se shtypja ndaj grave nuk ka vend në demokracitë perëndimore.

Por, ndalimi i burkës dhe nixhabit nuk e zgjidh problemin. Kjo nuk do ta adresojë problemin real të integrimit social dhe mundësive ekonomike për gratë myslimane në Francë.

Madje, kjo nismë mund të përkeqësojë izolimin social të këtij grupimi. Franca nuk do t’i zgjidhë problemet e popullsisë myslimane përmes përcaktimit të kodit të veshjes.

Megjithatë, nisma e Sarkozy-së, së paku, ka hapur debatin për një problem që shumë në Perëndim nuk duan ta diskutojnë.

Pyetja shtrohet se sa tolerancë do të ofrojnë vendet perëndimore për pakicat, që i kanë në mesin e tyre, pakica këto që shpesh janë jotolerante. (I. B.)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›