E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse të mos blejmë edhe më shumë eurobono?

Fakti që 15 banka ndërkombëtare ndër më të njohurat në tregjet financiare botërore shfaqën interes të ndërmjetësojnë ose të blejnë ato vetë bonot e thesarit shqiptar dëshmon për emrin e mirë të fituar nga ekonomia jonë. Është ekonomia e dytë në Evropë (së bashku me Poloninë) që e mbylli vitin e kaluar me rritje pozitive. Pas shprehjes së një interesi të tillë, mundësia për të marrë nga shitja e bonove sasinë e deklaruar prej 300-350 milionë eurosh është reale. Kjo, nga ana tjetër, duhet bërë shpejt, pse gjysma më kritike për burimet e pakësuara të buxhetit të shtetit është pikërisht gjysma e parë e vitit. Përpjekjet e ethshme për të privatizuar do të kërkojnë kohën e tyre. Privatizimet e para të suksesshme (nëse do të kemi të tilla dhe e urojmë) mund të nisin të sjellin para në buxhet vetëm nga fundi i vitit. Dhe kjo, me parashikimin më optimist. Ndërkohë, lind pyetja drithëruese: Si do t’ia bëjmë këta gjashtë muaj? Nga 350 milionë euro që do të marrim, 200 milionë duhen për të shlyer borxhin e marrë vjet. Ngelen 150 milionë euro. Janë pak. Ja përse një ish-zëvendësministër i Financave shprehet me të drejtë që duhet dhe është shumë mirë të marrim sërish borxh. Ndoshta dhe 200-250 milionë euro të tjera. Zërat katastrofikë për gjoja rrënim të ekonomisë sonë prej këtyre borxheve janë pa shumë baza. Duhet guxim dhe shumë i fortë që të marrim sërish para hua. Paratë që nxjerrim nga bonot e shitura në tregun e brendshëm, i mohohen ekonomisë private, mundësive për sipërmarrjet dhe qytetarët të kreditohen nga bankat në vend. Buxheti i shtetit është tkurrur pak tani, megjithatë qeveria nuk duhet të ndalet në ambicien e saj për një buxhet investues. Edhe nëse detyrohet të dalë për herë të dytë për të kërkuar në tregjet e huaja financiare që të emetojë eurobono të tjera. Ekonomia jonë duhet mbajtur në shtegun e rritjes. Nëse frenohet edhe qeveria, pas saj do të frenohen dhe do të hyjnë në krizë të parat bizneset e ndërtimit. Që tani një pjesë e tyre janë të mbytura në borxhe dhe presin një dritë shpëtimi nga kontratat me shtetin. Nëse hyn në krizë ndërtimi shqiptar, të jemi të sigurt se hyjmë në krizë të gjithë, pse sistemi i ndërtimeve tek ne është bazuar në një klering (shkëmbim mall me mall) me bazë paratë nga shteti. Firmat e lëndëve të para japin në natyrë zhavorr dhe çimento në këmbim të apartamenteve, firmat e arredimit pajisjet e tyre e kështu me radhë. Kur shteti, qeveria paguan dhe respekton kontratat, hyn paraja në sistem. Kur shteti e ndal apo ngushton rubinetin e parasë, hyn në krizë i gjithë sistemi. Ngrirja e fondeve për shpenzime qeveritare për një periudhë të pacaktuar (ndoshta deri në fund të qershorit) është një kambanë e fortë alarmi. Kjo shihet me sy të mirë nga banka jonë qendrore, pse shkurtohen shpenzimet. Mirëpo të shpenzosh pak sot në botë është baras me stimulim të krizës. Shpëtimi vjen nga rritja e konsumit. Prandaj edhe shumë specialistë të ekonomisë mendojnë se qeveria jonë nuk duhet të ndalet, edhe nëse do të kërkojë në tregjet e huaja 300 milionë euro të tjera në prill apo maj të këtij viti. Këto flukse do t’i japin ekonomisë sonë atë oksigjen të domosdoshëm që ajo të ecë përpara, njëlloj si atleti që duhet të mbushë gjoksin me frymë për të vrapuar. Fakti që ishim vendi i vetëm në Evropë (së bashku me Poloninë) me rritje pozitive ekonomike tregon qartë se mund të guxojmë të shpenzojmë këtë vit, të rrisim deri diku borxhin publik. Treqind milionë euro sjellin praktikisht shtim me 3 për qind. Nuk do të mbytemi, nëse veprojmë kështu. Ndërsa nga ana tjetër, u kemi dhënë frymë sektorëve jetësore të ekonomisë, si ndërtimit, tregtisë, bujqësisë e me radhë. Po ashtu, në këtë vit sfidash qeveria nuk duhet ta shtrëngojë dorën ndaj programeve të mbështetjes për biznesin. Në radhë të parë, atë prodhues, që prodhon për eksport. Ka dhënë deri tani me pikatore, deri në 50 mijë dollarë grante. Normalisht, që eksporti të ketë një bum të mirëfilltë, duhen grante me të paktën 300-400 mijë euro për rinovimin e teknologjisë së firmave tona më të suksesshme në eksport. Qeveria duhet t’i gjejë këta 3-4 milionë euro për të paktën dhjetë grante të tilla. Shtysa në eksport do të kompensonte dukshëm humbjet nga rëniet e dërgesave të emigrantëve dhe nga ulja e ritmit të ekonomisë kriminale (trafiqeve që sjellin para të pista në vend). Pastaj liberalizimi i vizave “Shengen” në korrik dhe shtimi i etjes për konsum në vende si Itali e Greqi që do ta kenë marrë gradualisht veten, do të bëjë që ekonomia jonë ta përfundojë këtë vit, përse jo, edhe me një rritje 4 për qind.
Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›