E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku neglizhoi para, gjatë dhe pas operacionit

27/01/2010  Raporti mjeko-ligjor shpjegon shkaqet e vdekjes së Matilda Petritit
Dje u zhvillua seanca e radhës për të pandehurin Xhevair Hoxhallari
TIRANË- Organi i prokurorisë paraqiti raportin mjeko-ligjor, me anë të të cilit vërteton se vdekja e vajzës ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekut, si dhe e punës së dobët që ai ka bërë për ekzaminimin paraprak të virusit. Mjeku Xhevair Hoxhallari nga Pogradeci vazhdon të jetë në proces gjykimi, i akuzuar për vdekjen e vajzës nga Maliqi i Korçës. Dje u zhvillua seanca e radhës për këtë të pandehur. Ndërsa ka përfunduar momenti i marrjes së provave me dëshmitarë dhe janë marrë të gjitha të dhënat e tjera që e deklarojnë fajtor mjekun Hoxhallari, dje ishte një tjetër pikë. Raporti i paraqitur në gjykatë ngarkon me përgjegjësi ligjore mjekun pogradecar për vdekjen e Matilda Petritit nga Pogradeci. Pas leximit të raportit mjeko-ligjor, ka qenë mbrojtja ajo që e kundërshtoi. Sipas mbrojtjes, raporti nuk duhet të merret në konsideratë. Për ta kundërshtuar plotësisht, mbrojtja ishte e bindur të thirreshin para gjykatës pesë mjekët ekspertë. Pas saj gjykata vendosi të thërrasë mjekët për të sqaruar pozicion e mjekut para saj dhe për të bërë një interpretim të raportit të depozituar. Në këtë mënyrë ekspertët do të shpjegojnë shkaqet e vdekjes së vajzës. Sipas kërkesës për gjykim, mjeku, paraditen e 7 prillit të vitit të kaluar, me kërkesë të familjarëve të vajzës, ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën e tij në Pogradec dhe pas keqësimit të gjendjes së vajzës ajo është sjellë në Tiranë, duke u rioperuar në Spitalin Francez, që ndodhet brenda ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Vetë i pandehuri Hoxhallari dhe mbrojtësi i tij ligjor ka pretenduar gjatë marrjes së deklarimeve të tij se ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme dhe gjakderdhjet e shkaktuara kanë ardhur nga ngacmimet e plagës me sende të forta apo kollitje të rënda të vajzës. Por ky pretendim është hedhur poshtë nga organi i akuzës, i cili ka dorëzuar raportin e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë nxjerrë përfundimet se vajza është keqoperuar nga mjeku Hoxhallari. Mjeku Hoxhallari gjatë seancave gjyqësore është shprehur se ka punuar me kujdes gjatë operimit të vajzës duke e quajtur vdekjen e saj si aksident. Madje ai është shprehur se në punë e tyre ndodhin edhe vdekje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›