Lul Berisha dhe deputeti, padi bllokimit të pronave
Fatos Mahmutaj Lulzim Berisha, familjarët e tij dhe deputeti socialist Hazir Gashi, shkojnë në Gjykatën e Lartë në procesin kundër Prokurorisë për sekuestrimin e pronave. Berisha, i akuzuar si kreu i bandës së Durrësit, pasi ka humbur në dy shkallët e para të gjyqësorit, betejën për "çlirimin" e pronave të tij nga sekuestroja preventive e Prokurorisë për Krime të Rënda, tashmë i është drejtuar Gjykatës së Lartë. Por ndryshe nga procesi në Fakt, pasi Gjykata e Apelit vendosi të sekuestronte edhe pasuritë e familjarëve të Berishës, tashmë në Gjykatën e Lartë, krahas Lulzim, Valbona dhe Luljeta Berishës, ka mbërritur edhe deputeti socialist Hazir Gashi, firma e ndërtimit e të cilit po ndërton kundrejt 25 përqindëshit, një pallat në pronën e motrës së Berishës. Seanca e parë e këtij procesi, pritet të zhvillohet mesditën e 10 shkurtit dhe relatori i çështjes është gjyqtari Gani Dizdari. Gjatë shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë te Krimet e Rënda u vendos sekuestrimi vetëm i pronave të të akuzuarit si kapo i bandës së Durrësit, ndërsa Apeli, pas ankesës së prokurorisë, e shtriu më tej këtë vendim, duke vendosur sekuestro preventive edhe për prona të familjarëve të tij. Në këtë mënyrë u prek edhe pasuria që familja Berisha do të përfitonte nga kontrata me firmën e ndërtimit të deputetit socialist. Tashmë janë familja Berisha dhe deputeti Gashi, që i janë drejtuar Shkallës së Tretë për të çliruar pasuritë nga "sekuestroja preventive" e organit të akuzës. Në Fakt, Berishës iu sekuestruan rreth 1900 metër katror tokë, e ndodhur në territorin e ish-Ndërmarrjes Bujqësore Frutore të Durrësit, e blerë nga ai gjatë viteve 2003 - 2005. Por prokuroria, duke u nisur nga fakti se ekzistonin shumë pasuri në emër të familjarëve të Berishës, kërkoi sekuestrimin e tyre, duke pretenduar se këto mund të ishin pasojë e aktivitet kriminal, për të cilin po gjykohet i akuzuari si kreu i bandës së Durrësit. Apeli vendosi sekuestro edhe për 1500 metra katrorë tokë në fshatin Shkallnuer të Durrësit, si dhe 25 përqindëshin e sipërfaqes së objektit që po ndërtohet mbi pronën e motrës së tij, në total 3500 metër katrorë. E thënë ndryshe kjo sipërfaqe është 33 apartamente, 23 garazhe automjetesh, si dhe 600 metër katrorë dyqane. Bashkë me to është sekuestruar edhe një fuoristradë "BMW X5". fa.ma.