E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga kati i tretë për t'i shpëtuar përdhunimit

 TIRANE - Një vajzë 20-vjeçare është mbajtur peng për disa orë në një hotel në Kamzë, në kryeqytet dhe është përdhunuar nga një 38-vjeçar, i cili tashmë ndodhet në qeli. Për t'i shpëtuar përdhunimit dhe veprimeve të dhunshme jashtë dëshirës së saj, në hotel, vajza nuk ka pasur asnjë zgjidhje tjetër dhe është detyruar që të hidhet nga dritarja e katit të tretë. Si rezultat, ajo ka pësuar disa fraktura dhe tashmë ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën, nga ku ka denoncuar personin që e kishte mbajtur peng dhe e kishte përdhunuar. Sipas burimeve, personi i akuzuar nga vajza për "heqje të paligjshme të lirisë" dhe "marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur", është 38-vjeçari Besnik Fetahu, lindur në Pukë dhe banues në Kamzë. Ai është arrestuar nga Policia e Tiranës, vetëm disa orë pas denoncimit të vajzës. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10, të dy ditëve më parë në një motel në Kamzë. Pasi është mbajtur forcërisht në dhomën e hotelit, vajza 20-vjeçare është hedhur nga kati i tretë, pasi personi që e kishte çuar aty donte ta përdhunonte. Fatmirësisht, vajza ka pësuar vetëm disa dëmtime fizike dhe i ka shpëtuar vdekjes, ndërsa personi që donte të përfitonte prej saj ka rënë në prangat e policisë. Arrestimi i 38-vjeçarit, Fetahu u krye pasi dyshohet se ka mbajtur forcërisht duke kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj vajzës që e ka denoncuar nga Spitali Ushtarak, ku ndodhet e shtruar aktualisht. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale të "heqjes së paligjshme të lirisë" dhe të "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur".        e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›