Ngacmimi i këngëtares, plagoset 24-vjeçari
TIRANE - Katër persona janë arrestuar dje, gjatë operacionit të koduar "Taverna" në Tiranë, sepse dyshohet se gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme, kanë plagosur me thikë një 24-vjeçar nga Laçi. Në pranga kanë përfunduar Ermal Leka, 31 vjeç, Zef Marku, 24 vjeç, Maringlen Cina, 24 vjeç dhe Ervis Marashi, 18 vjeç. Ngjarja për të cilën akuzohet katër të arrestuarit, ka ndodhur në ambientet e tavernës "Daja", e cila ndodhet në Unazën e Re në kryeqytet. Të rinjtë, sipas policisë kanë tentuar të vrasin me thikë, duke e plagosur disa herë në trup 24-vjeçarin Bledar Sefa, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në gjendje të rënduar shëndetësore. Sipas burimeve nga policia mësohet se motivi i grindjes mes tyre, ka nisur fillimisht pas një debati në lidhje me vajzën që këndonte në tavernë, e cila ishte e njohura e të plagosurit. Të rinjtë e arrestuar, sipas policisë, ishin në të njëjtën tavolinë dhe kishin konsumuar një sasi të madhe pijesh alkoolike. Ndërsa Sefa ka qenë me disa miq të tij dhe këngëtaren, në një tjetër tavolinë. e.d