E Diel, 1 Nëntor 2026

Luljeta Lleshanaku: Shkrimtarët në krizë krijimtarie

Poetja e njohur kritikon MTKRS për mungesë mbështetjeje monetare për shkrimtarët

Flitet shumë për letërsinë shqipe, por shumë pak bëhet për të. Sot pranohet nga të gjithë se letërsia shqipe ndesh shumë probleme, të cilat ndikojnë në zhvillimin e saj. Shohim gjithmonë dhe më shumë përkthime nga autorë të huaj dhe gjithmonë dhe më pak

botime nga autorë shqiptarë. Politikat që ndiqen në vendin tonë sa i takon fushës së letrave mbështeten më shumë tek botimi dhe promovimi, por ato nuk kanë pasur në qendër të tyre prodhimin letrar. Ndërtimi i një politike të qartë mbi të cilën duhet të operojë libri, duket se është një nga hallkat më të vështira, që ende nuk ka gjetur zgjidhje në vendin tonë. Ky problem sot pohohet nga emra të njohur të penave shqipe, dhe një prej tyre është dhe poetja e njohur Luljeta Lleshanaku. Ajo që doja të theksoja si të rëndësishme dhe madje urgjente, është orientimi i politikave kulturore drejt prodhimit letrar. Nuk është rastësi dhe as krizë krijimtarie, fakti që ka rënë ndjeshëm numri i botimeve letrare. Nuk është botimi apo promovimi hallka e dobët e gjithë procesit, por është prodhimi letarar, pohon për gazetën poetja e njohur Lleshanaku. Më tej ajo tregon se sot shkrimtarët shqiptarë përballen me një sërë problemesh, ndërkohë që ajo pohon se në vende të tjera të botës hartohen të tilla politika që u vijnë në ndihmë shkrimtarëve dhe jo të mbështeten ato vetëm në botimin dhe promovimin e veprës letrare. Shkrimtarët duhet të përballen me problemet e mbijetesës, një sfidë e përditshme, që u merr energjinë dhe kohën krijuese. Kjo çështje në vende të tjera është zgjidhur në mënyra të ndryshme, p.sh. ose ngritja e departamenteve të shkrimit kreativ pranë universiteteve, që është dhe një mundësi punësimi për shkrimtarët, ose fondacionet kulturore të cilët ofrojnë forma konkurruese, mbështetjeje financiare. Aplikimi nga shteti i një programi grantesh apo bursash, qoftë edhe në shkëmbim të një lloj kontributi të shkrimtarit p.sh në edukimin artistik, do t'i jepte atyre një shans që disa muaj në vit ti kushtohej letërsisë. Dhe nuk më duket pretendim i ekzagjeruar, kur dihet që letërsia ndoshta është pjesa më pak fitimprurëse e kulturës, pohon mbi poetja Luljeta Lleshanaku. Nga varfëria, konkurrenca e fuqishme e televizioneve apo dhe fuqia e interneti, nga të gjithë shkrimtarë dhe lexues pohohet se ka rënë fuqia blerëse e librit. Me aq para sa kanë njerëzit është e natyrshme, blejnë letërsi të huaj, nobelistë, emra shumë të njohur nëpër botë, letërsi rozë, etj, dhe këtë fakt mund ta konfirmojë çdo librashitës në Tiranë, vend ku shitet libri më shumë se në asnjë rreth tjetër. Nga ana tjetër shkruhen shumë libra mesatarë apo poshtë mesatares, por, sigurisht që një popull ka dhe lind edhe letërsi të mirë dhe shumë të mirë. Mirëpo, kur mungojnë politikat, të cilat e stimulojnë këtë zhvillim të saj, atëherë letërsia shqipe patjetër do të vijë duke u zbehur. Sa i takon politikave kulturore që ndjek sot Ministria e Kulturës ato shihen se pjesa më e madhe është vetëm në drejtim të botimit dhe të promovimit, ndërkaq edhe festivalet e ndryshme letrare që zhvillohen u kushtohen vetëm promovimeve të veprave letrare. Festivalet e ndryshme letrare që zhvillohen në vendin tonë promovojnë autorë, por ata nuk stimulojnë prodhimin e librit. Që letërsia shqipe ka pak botime kjo gjë tashmë është parë dhe tek dy panairet e librit që janë bërë gjatë këtyre dy viteve të fundit, pohon poetja Lleshanaku. Çdo shenjë kujdesi ndaj librit dhe kulturës në përgjithësi është mirëpritur nga njerëzit, e në mënyrë të veçantë nga komuniteti i atyre që merren me prodhimin. Por, për fatin e keq, ky kujdes ka qenë pothuaj i pandjeshëm gjatë këtyre viteve në vendin tonë. Është e vërtetë se gjatë këtyre viteve ka pasur shumë ngërçe dhe debate për çështjet e librit shqip. Në kaq vite libri shqip ka vepruar në ekonominë e tregut pa ligjet përkatëse mbi librin, që është rregullatori midis hallkave të ndryshme. Ajo që është vënë re gjatë këtyre dy dekadave të fundit dhe nga të gjitha qeveritë që janë alternuar, ka qenë dënimi i librit shqip me mospërfilljen dhe indiferencën e madhe ndaj tij. Mungesa e ligjeve, dhe kjo indiferencë e pashpjegueshme ndaj librit dhe krijuesve të tij ka bërë që shumë shkrimtarë të përballen me kushtet e mbijetesës. Janë të shumtë ata që pohojnë se duhet të ndërmerret një tjetër politikë ndaj librit, e cila të ndikojë në zhvillimin e tij. Letërsia është në krizë vetëm për shkak të politikave, që janë ndjekur dhe nëse ato do të jenë në një tjetër drejtim, edhe letërsia do të ketë një tjetër zhvillim.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on Friday, 14 May 2010 19:49

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›