E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Rrëzimi i Kostës, çudi



Erald Kapri

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, lëshoi dje kritika të ashpra ndaj Kuvendit të Shqipërisë, duke e vlerësuar se po vepron në kushte të një mungese transparence. Në forumin e organizuar dje nga dy ish-Presidentët, Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, numri një i diplomacisë amerikane në Tiranë tha se me vendimin e fundit, për rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka vepruar “në bazë të kritereve të përvijuara në një projektligj lustracioni, i cili u hodh poshtë, si nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ashtu edhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias”.
Në forumin e mbi “Gjykatat në Demokraci”, ambasadori amerikan iu drejtua direkt përgjigjes së dhënë nga njërit prej përfaqësuesve të Kuvend, duke thënë se ai la një përshtypje të gabuar, duke marrë si shembull Senatin Amerikan. “Mënyra dhe mungesa e transparencës në rrugën se si u arrit ky vendim është befasues. Kjo nuk është transparencë dhe ngre imazhin e llojit të ndikimit politik mbi gjykatat, që nuk duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike. Në mbrojtje të këtij vendimi, një zëdhënës i Parlamentit paraqiti një argument që mendoj se ne amerikanët duhet t’i përgjigjemi dhe që mund të shërbejë si një lloj shembulli apo shtegu, që mund të jetë i dobishëm për Parlamentin, madje në fakt edhe institucione të tjera qeverisëse, për t’u ndjekur tani e tutje”, tha ambasadori. Në këtë mënyrë, duke iu përgjigjur përfaqësuesit të Kuvendit, i cili mbrojti rrëzimin e dekretit të Vangjel Kostës, ambasadori amerikan u përgjigj duke thënë: “Zotëria iu referua Senatit të Sh.B.A. dhe faktit që me raste, gjatë shqyrtimit të gjykatësve për në Gjykatën e Lartë, Senati refuzon gjykatës. Ky është një shembull i pavend dhe që lë një përshtypje tërësisht të gabuar. Ndoshta unë jam paksa i njëanshëm, por do të thosha që seancat e Senatit mbi emërimet gjyqësore janë ndoshta më të hapurat dhe më transparentet se kudo në botë. Dhe, si amerikan, për mua, është e vështirë t’i kuptoj referencat ndaj procedurave të Senatit të Sh.B.A. për të mbrojtur atë që ndodhi në Parlament në rastin e Z. Kosta”. Ambasadori amerikan, duke e cilësuar rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës, si të çuditshëm, shtoi se “të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej Parlamentit”.
Në tryezën e djeshme, folën disa prej ambasadorëve më të rëndësishëm në Shqipërisë, ai i SOBE-së Bosch dhe Ambasadorja britanike Fiona McIlwham. Ambasadorët theksuan nevojën e emërimeve transparente mbi bazë kriteresh profesionalizmi dhe integriteti. Të ftuar në këtë tryezë ishin edhe ish funksionarë të lartë të sistemit të drejtësisë dhe i konstitucionalistë të njohur. Dy ish presidentët, Meidani e Moisiu, vunë theksin te pavarësia e gjyqësorit, pasi sipas tyre, po kërcënohet nga politika. Sipas tyre, çdo maxhorancë e radhës në Shqipëri ka tentuar në mënyrë të hapur, nëpërmjet akuzave e presioneve, si dhe votës parlamentare, që të bëjë nën kontroll sistemin e drejtësisë në vend. Ish kreu i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi lëshoi kritika mbi ambasadorët për mbështetjen e dhënë ndryshimeve Kushtetuese në vitin 2008. Ish presidentët nga ana e tyre, bënë thirrje që Kuvendi dhe politika të respektojë vetëm kriteret profesionale dhe të mos merret me kriteret politike, pasi sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë garantohet një sistem i pavarur gjyqësor.

Kondi: Ambasadorët përkrahën dëmtimin e Kushtetutës
Ish kreu i Gjykatës së Lartë për 9 vite, Thimio Kondi, i pranishëm në tryezën e organizuar nga dy ish presidentët, kritikoi ambasadorët e pranishëm në sallë se ata kanë përkrahur prishjen e themeleve të Kushtetutës së Shqipërisë. Sipas Kondit, ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, ishin si prishja e themeleve të një shtëpie, e cila pritet të bjerë nga çasti në çast. “Për mendimin tim, një nga arsyet që ka impakt negativ për këtë situatë është dëmtimi i themeleve që iu bënë Kushtetutës. Këto themele u dëmtuan rëndë, kur u bënë ndryshimet e shpejta kushtetuese, dhe u dëmtua si një ndërtesë që i hiqen një pjesë të themeleve dhe që rrezikon të shembet e gjitha. Për mendimin tim, këtu ka përgjegjësi gjithë klasa politike shqiptare”, tha Kondi. Ai shtoi se “më ka bërë përshtypje në disa qarqe evropiane, që kur u arrit konsensusi për ndryshimin e Kushtetutës brenda natës, dërguan përshëndetjen dhe përkrahjen e tyre për këtë ndryshim. Kur flasim për standarde europiane, duhet që këto standarde t’i aplikojmë si në vendet e tyre”. Sipas Kondit, politika ka ndryshuar Kushtetutën vetëm për interesa personale e politike. Ai mori si shembull heqjen e imunitetit, që ende edhe sot nuk po arrihet të realizohet nga politika.

Meidani: Politika synon kontrollin e gjykatave
Ish presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, një nga organizatorët e forumit të djeshëm me ambasadorët e huaj, theksoi në fjalën e tij se shumicat parlamentare kanë synuar gjithnjë të kontrollojnë gjyqësorin. Sipas tij, edhe në ditët e sotme, maxhoranca synon që nëpërmjet votës parlamentare të kontrollojë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. “Kushtetuta jonë parashikon një sërë garancish për pavarësinë e gjyqtarëve. Këto garanci përgjithësisht funksionojnë. Në rrafshin e korrigjimin legjislativ, një rol të madh e ka luajtur Gjykata Kushtetuese. Ajo do të ishte më pak e atakuar nëse do të ishte dhoma e dytë, apo senati, pro në rolin që ka sot, padyshim ndodhet në trysninë e politikës. Aktualisht por edhe më parë janë vënë re përpjekje të vazhdueshme nga shumicat parlamentare dhe qeveritë për të ushtruar presion që e kanë pasqyruar haptazi edhe si sulme kundër prokurorëve, gjyqtarëve madje edhe kundër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Parë me këtë sy, një çështje e rëndësishme e ditëve tona, është që të garantohet sigurimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe jo komandimi politik i saj nëpërmjet votës parlamentare. Duhet reagim për të shmangur këtë votë parlamentare”, tha ish Presidenti Meidani.

Moisiu:Politika merret me bindjet personale
Ish Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, një nga organizatorët e tryezës së djeshme, deklaroi se Kuvendi po merret me bindjet politike të kandidatëve për në gjykata dhe jo me kriteret profesionale. Sipas ish Presidentit, Kuvendi nuk duhet të merret me bindjet e hershme të kandidatëve. “Vota parlamentare duhet të merret me kriteret e kandidatëve siç parashikohet në Kushtetutë dhe ligjet organike, jo siç po ndodh në fakt ku politika po gjykon në argumente politike. Nuk merret me kriteret profesionalizimin dhe integritetin e kandidatit por me bindjet e tij të hershme apo me miqësitë e tij personale politike. Kjo ka bërë që në institucionin kryesor të jetë fenomeni i korruptimit politik, si një nga plagët kryesore të sistemit gjyqësor”, tha Moisiu. Ai tha më tej për kandidatët se “emërimi i tyre, megjithëse është kompetencë thelbësore e Presidentit të Republikës, tek ne shpesh ka rezultuar sikur është një propozim dhe jo një emërim”. Moisiu shtoi se për të bërë karrierë, për fat të keq po shihen lidhjet personale me maxhorancat sesa plotësimi i kritereve profesionale. Për sa i përket kandidaturës së Vangjel Kostës, ish-presidenti tha se “duke mos dhënë asnjë shpjegim kushtetues për këtë refuzim, Kuvendi duket se ka marrë një vendim partiak e politik”.

McIlwham: Procesi të ketë kredibilitet
Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona McIlwham, tha dje në Forumin mbi “Gjykatat në Demokraci” se procesi për emërimet në gjykata duhet të ketë kredibilitet. Ajo u pajtua me shqetësimet e dy ish presidentëve, Meidani e Moisiu. Sipas Ambasadores britanike, gjykata e fortë dhe e pavarur është themelore në një vend demokratike. “Mendoj se e rëndësishme për Shqipërinë është garantimi i një procesi transparent”, tha McIlwham. Duke u ndalur në shqetësimin për emërimet e reja në gjykatat shqiptare, ambasadorja theksoi se të përzgjedhurit duhet të jenë profesionistë. Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë mund të garantonte sundimi i ligjit për të gjithë. Në fund të fjalës së vet, ambasadorja theksoi se mbështet një proces me integritet. “Një gjykatë e fortë dhe e pavarur kërkohet në demokraci. Kjo është edhe një nga kërkesat e Europës. Ky proces duhet të bazohet në integritet dhe në Pavarësinë e gjyqtarëve. Profesionistët garantojnë rregullin dhe ligjin për të gjithë, jo për arsye personale, biznesi por për zbatimin e plotë të ligjit. Mendoj se ka shqetësim për këtë proces dhe nisur nga diskutimi, unë e mbështes një proces me kredibilitet”, tha Ambasadorja britanike.

Bosch: Mjaftojnë kriteret profesionale
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch shprehu shqetësimin e tij në lidhje me miratimin e kandidaturave për në gjykatat më të larta të sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Në tryezën e organizuar dje nga dy ish presidentët, Bosch tha se miratimi i një kandidature duhet të mjaftohet vetëm me kriteret profesionale. Sipas tij, votimi duke u bazuar në kritere politike është i papranueshëm. “Kriteret politike nuk duhet të kenë asnjë rol këtu, por vetëm kriteret profesionale dhe kjo është shpirti i Kushtetutës dhe asgjë tjetër”, tha Bosch. Duke folur më shumë për këtë çështje, Ambasadori i OSBE-së tha se shpirti i Kushtetutës përcakton se Presidenti është institucioni që përzgjedh kandidatët. Sipas tij, Kuvendi duhet t’i miratojë ata nëse përmbushin kriteret profesionale. “është detyra e Presidentit të zgjedhë kandidaturat. Dhe me aq sa dimë nga Kushtetuta kjo është e bazuar në kritere specifike, objektive, profesionale. Qëllimi final i Kuvendit për miratimin përfundimtar duhet të përmbahet te kriteret profesionale të kandidatëve”, tha Ambasadori i OSBE-së. Më tej ai vlerësoi edhe 3 kandidatët për në Gjykatën e Lartë, duke thënë “se i plotësojnë kriteret objektive, prandaj mbetet që Parlamenti t’i miratojë ata”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›