Lulzim Basha sjell shpresë tek nënat dhe të rinjtë
Kandidati për kryebashkiak u kushton kohë të veçantë grave, nënave, gjimnazistëve dhe të rinjve të Tiranës
Platforma e Lulzim Bashës ka gjetur mbështetje të fortë nga gratë, të cilat, sot vuajnë më së shumti mungesën e punësimit, degradimin e infrastrukturës, furnizimin me orare me ujë të pijshëm, e deri tek shpërthimi i ujerave të zeza përreth banesave te tyre. Shpresa që ka ngjallur Lulzim Basha me projektin e tij për Tiranën është reflektuar më së shumti në takimin e zhvilluar me gra të grup moshave të ndryshme dje në pallatin e Kongreseve. Në platformën e tij, Basha parashikon stimuj të veçantë për punësimin e tyre, krijimin e lehtësirave për gratë në marrëdhënie pune dhe mbështetje të veçantë për gratë kryefamiljare. “Duke filluar nga data 9 maj, do të jem në dispozicion dhe shërbim të plotë të qytetit të Tiranës, të qytetarëve të Tiranës, të nënave, grave, motrave të Tiranës. Dera ime do të jetë e hapur për këdo që ka problem, sepse bashkia dhe kryebashkiaku, duhet t’i dëgjojë dhe t’i zgjidhë problemet. Veshët dhe sytë e mi nuk do të mbyllen para asnjë problemi , sado i rëndë qoftë, sa do larg të jetë, për sa kohë që është problem i qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës. Kryebashkiaku thotë; unë nuk kam lidhje me çmimet, por taksat që janë rritur nga viti në vit. A kanë lidhje taksat me çmimet? A dalin këto para në fund të fundit nga xhepat tanë? Prandaj unë kam një plan konkret për të normalizuar çmimet në këtë qytet. Që fillon me uljen e shumëfishtë të taksave për qytetarët dhe bizneset e Tiranës dhe themelimin e agjencisë së mbrojtjes së konsumatorit. Agjenci e cila do të hulumtojë, godasë, raportojë këdo që spekulon me çmimet në Tiranë. Prandaj u them sot, do t’i ul taksat dhe do të bëj normalizimin e çmimeve në këtë qytet, prioritetin tim numër 1. Një vëmendje të veçantë do të kem për gratë kryefamiljare. Në programin tim të strehimit, i cili parashikon një fond special për çiftet e reja në Tiranë, dhe 1000 apartamente sociale brenda katër viteve të ardhshme, do të ketë vend të bollshëm për të trajtuar problemin e tyre. Ne do të përparësojmë punësimin e gruas dhe krijimin e kushteve të barabarta të pagesës për gratë në këtë qytet. Për të gjitha ato të cilët gjatë muajve të verës vazhdojnë punën ndërkohë që kopshtet, çerdhet dhe shkollat mbyllen, bashkia e Tiranës duke filluar nga vera e ardhshme do të aplikojë për këtë qëllim, nën drejtimin dhe supervizimin tim, shkollat verore, kopshtet verore, për fëmijët e grave të punësuara që nuk mund të kujdesen për to gjatë kohës që janë në punë. Ne do t’i përvishemi punës, sepse 9 maji është dita europiane, por është po kështu, dita kur ne fillojmë rrugëtimin për Tiranën europiane modern”- u shpreh Basha. Lulzim Basha ishte i ftuar sot në një festë të një grupi maturantësh në Tiranë. Kandidati për kryebashkiak, i garantoi ata se në politikat e tij do të mbështesë arsimimin e të rinjve duke i ofruar edhe mbështetje financiare. Basha parashikon si fillim, 500 bursa për të rinjtë në pamundësi ekonomike dhe 100 bursa për më të mirët. Këta maturante do përfitojnë në nisje të studimeve të larta kartën studentore, dhe në një të ardhme të afërt, ambiente moderne për studim në kampuset universitare. Ndërsa për gjimnazistet e Tiranës, Basha parashikon përmirësim të kushteve të tyre, ndërtimin e 4 shkollave të mesme, krijimin e ambienteve sportive dhe akses të gjerë në internet. Gjatë mbrëmjes, Basha u bashkua me të rinjtë në një party të Komunës së Parisit. Lulzim Basha me projektin e tij për Tiranën ka zgjuar shpresën dhe ëndrrat e çdo grup moshe, por mbi të gjitha, të rinisë që është rreshtuar në krah të tij. Kjo energjinë po përcjell optimizmin e Tiranës Europiane në çdo cep të Kryeqytetit.