E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Lumë” ofertash për Dedën

16/05/2005  Elbasani, Partizani, Tirana në Shqipëri, por edhe disa skuadra greke dhe qipriote kërkojnë shërbimin e mbrojtësit të portokallinjve

Merkato është në prag dhe të gjitha skuadrat e Ligës Superiore janë vënë në start për të kërkuar elementë sa më cilësorë, për të fuqizuar radhët e tyre. Të shumtë janë emrat, që përfliten dhe kjo premton një verë të nxehtë edhe në këtë drejtim. Dhe një ndër emrat më të lakuar është edhe ai i mbrojtësit të Elbasanit, Nevil Dede. I kaluar këtë sezon nga radhët e Tiranës drejt skuadrës portokalli, Dede ka bërë një paraqitje vërtet shumë të mirë dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e shumë drejtuesve të skuadrave më të mira në vend, por edhe jashtë Shqipërisë. Sinjali i parë është dhënë para disa ditësh, ndërkohë që edhe më i fortë erdhi në ndeshjen e zhvilluar në “Qemal Stafa” kur skuadra portokalli mundi Tiranën me shifrat 1:0. pikërisht në ndeshjen e zhvilluar të shtunën, kanë qenë tifozeritë e të dyja skuadrave që kanë brohoritur në kor emrin e mbrojtësit të Elbasanit. Kanë qenë tifozët e Elbasanit, që kanë brohoritur emrin e tij, duke i përcjellë një mesazh të qartë edhe presidentit të kësaj skuadre, Laze, për ta mbajtur mbrojtësin edhe në sezonin e ardhshëm në Elbasan. Por, nuk kanë munguar as tifozët bardheblu, të cilët me thirrjet e tyre “Nevil Dede, Nevil Dede”, duket se i kanë kërkuar donatorëve të Tiranës, kthimin në shtëpi të idhullit të tyre për shumë vite. Por, nuk është vetëm Tirana dhe Elbasani që kërkojnë shërbimin e mbrojtësit Nevil Dede, për sezonin e ardhshëm. Në sulm është hedhur fuqishëm edhe Partizani. Skuadra e kuqe dhe presidenti Xhani i kanë paraqitur një ofertë joshëse mbrojtësit, por që duket se nuk e ka bindur ende futbollistin me numër 4. Edhe vetë Dede e ka pranuar interesimin e shumë skuadrave, por ka pranuar se nuk ka vendosur asgjë. Sipas tij, pika kyçe janë paratë. Ish-futbollisti i Tiranës, Partizanit dhe tani mbrojtës i Elbasanit, Dede ka pranuar se është në pritje të ofertës më të mirë. “Është e vërtetë se më kanë ardhur shumë oferta të mira nga disa prej skuadrave më të mira në vend. Tashmë dihen kontaktet me Partizanin, që më ka bërë një ofertë të mirë, por oferta kam edhe nga Tirana si dhe nga vetë skuadra me të cilën po aktivizohem, Elbasani. Deri më tani nuk kam vendosur se ku do të aktivizohem në sezonin e ardhshëm, por iu bëj të ditur, se jam në pritje të ofertës më të mirë”,- ka deklaruar mbrojtësi i Elbasanit, Nevil Dede. Por, veç ofertave nga Shqipëria, në adresë të ish-mbrojtësit të Kombëtares nuk ka munguar as interesimi nga klube jashtë vendit. Bëhet fjalë për disa skuadra greke dhe qipriote, por që Dede nuk ka nxjerrë ndonjë emër konkret. “Ju thashë edhe më lart, se nuk kanë munguar as ofertat nga jashtë Shqipërisë, deri më tani më kanë kërkuar disa skuadra greke dhe qipriote, gjithsesi asgjë nuk është vendosur. E theksoj, do të pres ofertën më të mirë”,- ka nënvizuar mbrojtësi i Elbasanit. Duhet theksuar se muaj më parë, Dede ka provuar një ekperiencë në Greqi me Ergotelisin, por aventura është shuar pa nisur ende. Gjithsesi, do të priten ditët e ardhshme për të mësuar më shumë, por Nevil Dede është një nga më të kërkuarit në merkaton që pritet të hapë dyert shumë shpejt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›