E Hënë, 2 Nëntor 2026

Starova: Të ripërtërihet skuadra

16/05/2005  Trajneri i Tiranës i ka bërë të qarta idetë e tij dhe e sheh me ndryshime skuadrën e re të Tiranës

Edhe pse skuadra kampione, Tirana është mundur në ndeshjen e saj përballë Elbasanit me shifrat 1:0 kjo humbje duket se pak i ka shqetësuar kampionët. Dhe kjo duket qartë edhe nga deklarata e trajnerit të saj Sulejman Starova, i cili pas ndeshjes, më tepër është ndalur te objektivat e Tiranës në sezonin që po mbyllet, se te humbja me Elbasanin. Starova është dukur i zhgënjyer sidomos për humbjen e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend, atë të Kupës së Shqipërisë përballë Teutës.

“KAM MBARUAR KONTRATEN MORALE”

Sipas trajnerit të bardhebluve, ai ka patur një kontratë me donatorët e kësaj skuadre, një kontratë më shumë mirëkuptimi deri në muajin shtator. Dhe sipas tij, pavarësisht dështimit në Kupë, ai e ka konsideruar si të suksesshme duke lënë edhe një hamendje për një lëvizje në fund të sezonit. “Në të vërtetë kam patur një kontratë mirëkuptimi me donatorët. Një kontratë morale pa kushte që më lidhte me Tiranën deri në muajin shtator dhe mendoj se e kam realizuar me sukses, duke u shpallur kampion. Sigurisht në këtë sukses, pjesë janë edhe futbollistët”

KUPA KEQARDHJA E STAROVES

Skuadra e Tiranës ka mundur të rifitojë për të tretin vit radhazi titullin e kampiones së vendit. Por, nuk ka qenë vetëm kampionati synimi i bardhebluve në këtë sezon. bardheblutë e kanë kërkuar me shumë ngulm edhe fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë, duke tentuar të bëjë “bis” trofesh. Por, një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur, pasi Teuta ia ka prishur planet kampionëve. Edhe pse Tirana konsiderohej si favoritja e madhe në finalen e 11 majit, ajo nuk ka mundur të triumfojë mbi “djemtë e detit” që janë treguar më të saktë nga llogaria e 11 metërshave. Dështimi në këtë objektiv, duket se i ka djegur jo pak trajnerit të Tiranës, i cili pavarësisht se ka deklaruar se një nga objektivat është realizuar, nuk e ka fshehur edhe zhgënjimin për humbjen e Kupës. “Jam i gëzuar, pasi e realizuam një objektiv të rëndësishëm si titulli. Por, ne kishim synim edhe fitimin e Kupës, të cilin nuk mundëm ta realizonim. Na vjen keq që nuk mundëm ta fitonim edhe Kupën, gjithsesi ne një objektiv e realizuam”.

E ARDHMJA QE KERKON NDRYSHIME

Mungon edhe një javë që sezoni futbollistik për vitin 2004-2005 të mbyllet. Por, tashmë të gjitha verdiktet janë dhënë. Edhe për Tiranën, sezoni mund të quhet i mbyllur. E shpallur kampione dhe e mundur në finalen e Kupës me 11 metërsha nga Teuta, sezoni i bardhebluve mund të konsiderohet i suksesshëm. Por, tashmë te kampionët mendohet për të ardhmen, e cila duhet të jetë ndryshe. Dhe mesazhi ka ardhur nga trajneri Starova, i cili ka theksuar se diçka duhet të ndryshojë në skuadër. Pjesmarrja në Ligën e Kampioneve kërkon një skuadër më kompetitive dhe duhet lëvizur. Sipas Starovës, këtu një rol themelor do të kenë donatorët. “Më duhet të theksoj, se skuadra duhet ripërtërirë për të qenë më e plotë dhe më e përgatitur në Ligën e Kampioneve. Ky është një kompeticion i vështirë dhe me përgjegjësi, dhe për të bërë një figurë më të mirë duhet ndryshime. Këtë e kanë në dorë donatorët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›