E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kujdestari i teshtimave kulturore

16/05/2005  Në korridoret e Ministrisë së Kulturës s’guxon kush të teshtijë se ministri do të vrapojë të futë duart në kuletën e shtetit për të paguar reklamën me këtë sllogan: “Ky aktivitet bëhet nën kujdesin e ministrit Klosi”. Të paktën kështu ka ndodhur me teshtimat e deritanishme kulturore. Fillimisht më kujtohet festa e ditës së verës të cilës iu kushtua aq shumë publicitet dhe në të gjitha spotet televizive bëhej me dijë gjithçka bëhej nën kujdesin e Ministrit të Kulturës i cilij përmendej me emër e mbiemër. Festa ishte goxha flakë kashte, por, personalisht, do të më dukej e arsyeshme që emri ministrit të përmendej vetëm nëse ai kishte fryrë gjithë tullumbacet që u lëshuan atë ditë në ajër sepse kjo do të kishte qenë diçka e pashoqe. Mesa duket ministri ka frikë se mos njerëzit kujtojnë se pas aktiviteteve të organizuara nga MK-ja fshihet ndonjë ministër tjetër.

Pas tullumbacave të verës, nën kujdesin e tij, u organizua ndarja e çmimeve KULT-urore, një nga prezantueset e të cilëve ishte partnerja e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Kush mundi të shikojë përtej pompozitetit të aktitivitetit patjetër që ka vënë re se ideatorët e këtyre çmimeve kishin sakrifikuar goxha nga xhepat e tyre dhe taksapaguesve shqiptarë për të ngritur në piedestal çdo vlerë mediokriteti, madje promovuan si aktorë të vitit edhe persona që kishin plot dymbëdhjetë muaj pa dalë në skenë. Dhe jo më larg se një ditë më parë nga çasti që shkruaj, ndërsa televizioni ishte hapur dëgjova se do të bëhej diçka “nën kujdesin e ministrit Klosi”. Nuk e vrava mendjen ç’ishte ngaqë masovikët e kulturës i kam pas zët qysh në vitet tetëdhjetë kur kuptova ç’fshihej pas këtij termi. Megjithatë, të nesërmen më sqaroi një e përditshme me këtë titull të goditur: “Pesë milionë lekë për “klonimin” e regjisorëve të rinj”. Kjo iniciativë e përsëritur nuk ka ndonjë gjë të keqe. Bile është për t’u përshëndetur. Por vetëm nëse e kemi kujtesën si të zogut dhe harrojmë se çfarë ndodhi një vit më parë me një tjetër “klonim” të këtij lloji. Qershorin e kaluar, MK-ja organizoi një konkurs që do të përzigjidhte dhe financonte 10 dorëshkrime të shkrimtarëve nën moshën dyzetë vjeç ndërsa librat ishin parashikuar të promovoheshin në muajin dhjetor. Kanë kaluar gjashtë muaj prej dhjetorit dhe ato libra ende nuk kanë dalë në dritë megjithëse edhe ai aktivitet ishte bërë “nën kujdesin e ministrit Blendi Klosi”. E nuk është çudi që gjithë veprimtaritë e këtij ministri të kenë të njëjtin përfundim të dëshpëruar përderisa vëmendja përqëndrohet tek daullet e fillimit dhe askush nuk raporton për rezultatin. Eshtë njësoj si të bësh festë që po mbjell diçka dhe nuk ka rëndësi se çfarë do të korrësh sepse daullet do të bien sërish kur të hidhet fara tjetër prej të cilës, sërish, mund të mos korret asgjë. Madje as kjo nuk është ide origjinale, kryeministri aktual e ka ushtruar prej shekujsh praktikën e prerjes së shiritit kur nis një investim, rasti më i freskët ishin ca pallate banimi në Durrës që edhe mund të mos mbarohen kurrë.

Në qoftë se MK-ja do dëshironte sinqerisht të bënte diçka për të cilën nuk do ta qeshte kush atëherë duhet t’i ofronte vetes këshilltarët e duhur. Dhe unë po jap një shembull flagrant sesi punohet me modesti, gati në heshtje, dhe sesi ndihmohet kultura jonë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë saj.

Tetorin e kaluar, nën kujdesin e shkrimtarit Arjan Leka, në Durrës zuri fill një aktivitet letrar që në fund të prillit të këtij viti u shndërrua në festivalin ndërkombëtar dinjitoz i poezisë “Poeteka”, i parë i këtij lloji në Shqipëri. Për pesë ditë me radhë, nga 27 prilli në 2 maj, me rreth pesëdhjetë poetë shqiptarë dhe shtatë poetë të huaj pa përfshirë poetin italian, M. Sanguineti, që e anulloi ardhjen në minutat e fundit për arsye shëndetësore. Organizimi i këtij aktiviteti ishte i mrekullueshëm, madje Bashkia e Durrësit edhe pse mua më la përshtypjen se punët e qytetit i kishte bërë çorap, investimin e saj në festival e kishte qepur dhe mund ta quaj edhe të pa shoq se e bëri në një mënyrë krejt modeste. Nuk u përmend kurrë në ndonjë reklamë të sponsorizuar nga prej saj as roli i vet dhe as përfaqësuesve të saj që në rastin konkret ishte Drejtori i Depatamentit të Kulturës në Bashki, zoti Emilian Metaj. Të gjithë punuan me modesti dhe përkushtim, madje ideatori dhe organizatori kryesor i gjithë festivalit, shkrimtari Arjan Leka, nuk e kishte planifikuar veten të recitonte në asnjë nga seancat e shumta të recitimit megjithëse ai është një nga poetët më përfaqësues të brezit të vet, ngaqë, siç më tha kur e pyeta, nuk donte të keqkuptohej si shfrytëzim rastit për hir të pozicionit që kishte gjatë gjithë festivalit. Në fakt, disa nga të ftuarit i ofruan një suprizë: gjatë recitimeve të tyre lanë vend edhe për një poezi të tij në shenjë falënderimi për ftesën, respekti për modestinë, dhe më kryesorja, sepse ajo ishte një poezi që ia vlente të komunikonte. Modestia deri në këtë pikë, sidomos po të kemi parasysh babëzinë për publicitet të njerëzve që e vetmja lidhje me kulturën është çasti kur vënë prapanicën në karrigen e ministrit të kulturës, është e dëmshme.

Poeteka, me gjithë mangësitë e saj (për shembull, mungoi kontakti me universitetet), ishte një aktivitet i peshave të rënda dhe ndikimi i saj pozitiv do të jetë më i fuqishëm e më afatgjatë në kohë dhe hapësirë. Po të mos kishte ardhur në Shqipëri, poeti rumun Mircea Dinescut nuk do t’i kishte lindur kurrë ideja të botonte një antologji të poezisë shqipe në Rumani gjë që e konfirmoi edhe në një intervistë për Metropol-in. Poetja kroate, Sibila Petlevski, fituesja e fesivalit kur të flasë për çmimin që mori, mes shumë të tjerëve që kishte marrë më parë, nuk do të thotë që e ka marrë në Angli, Itali apo diku tjetër, por në Shqipëri, e kështu festivali i kalon kufijtë e izolimit tonë, më tepër për faj të politikave kulturore që nuk dalin përtej majës së hundës së aparatçikëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›