E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-i me qymyr, sot firmoset marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe ENEL-it



Ndërtimi i termocentralit 800 MW me qymyr në afërsi të Durrësit pritet të bëhet realitet sot, kur dy ministrat përgjegjës për Ekonominë, ai italian Klaudio Skajola dhe ai shqiptar Genc Ruli, do të firmosin marrëveshjen. Lajmin e konfirmon zyra e shtypit pranë ENEL-it, sipas së cilës, më 27 shkurt ka përfunduar i gjithë projekti për ndërtimin e TEC-it dhe i është dorëzuar për miratim Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Italianët shikojnë si problem hezitimin e Ministrisë së Mjedisit, e cila nuk e ka dhënë ende miratimin, edhe pse janë marrë të gjitha masat që impakti në mjedis të jetë minimal. Mësohet gjithashtu se dy ministrat do të firmosin një marrëveshje të përbashkët zhvillimi energjetik, duke i hapur rrugë fillimit të punimeve për TEC-in 800 MW, si dhe ndërtimit të linjës nënujore 500 MW, e cila do të shërbejë për kalimin e energjisë elektrike nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas njoftimit të ENEL-it, marrëveshja për TEC-in do të krijojë stabilitet të qëndrueshëm për Shqipërinë, duke i dhënë mundësi të rrisë eksportin e energjisë elektrike. Ardhja e Skajolës në Shqipëri i dedikohet marrëveshjes së firmosur në dhjetor të vitit 2007 mes ministrit Ruli dhe ENEL-it, ku deri sot është ecur me hapa konkretë drejt realizimit të projektit. Drejtuesit e kompanisë italiane janë shprehur kohë më parë se, “nga e gjithë energjia që do të prodhojë termocentrali, 40 për qind e saj do t‘i shitet Shqipërisë me çmimin e kostos, kurse pjesa tjetër do të shkojë në Itali për konsum”. Vlera e investimit llogaritet deri në 2 miliardë euro dhe konsiderohet si një ndër projektet më të mëdha në Ballkan, aq sa një pjesë e politikës italiane është shprehur kundër këtij financimi kaq të madh jashtë territorit të tyre. Megjithatë, TEC-i me qymyr që do të ndërtohet pranë Porto Romanos, ka hasur në kundërshtitë e grupeve ambientaliste, të cilat kanë kërkuar zhvillimin e një referendumi në qytetin e Durrësit.

Zhvillimi arsimor, Bashkia e Kamzës, marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë

Sot, më datë 10 mars 2009, do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi në fushën arsimit profesional mes qytetit të Jenës në Gjermani dhe Bashkisë së Kamzës. Qëllimi i bashkëpunimit është të ndryshohet formimi ekzistues teorik në një formim të orientuar drejt praktikës. Në terma afatgjata synohet përafrimi i formimit profesional me nivelet europiane. Tashmë mes shkollës shtetërore “Profesionale të Shëndetit dhe Punës Sociale” në Jenë dhe Baskisë Kamzë ekziston një bashkëpunim në kuadër të projektit “Kujdesi për të moshuarit - kualifikimi i trajnuesve“. Ky projekt mbështetet nga ekspertë të “CIM”-it. Bëhet fjalë për qendrën e parë të formimit të këtij lloji në Shqipëri, e cila planifikon të nisë kualifikimet në shtator 2009. Për këtë qëllim, një grup pune në drejtimin e Agjencisë Kombëtare për Arsim Profesional dhe Kualifikim e Tiranës, ka nisur punën. Në këtë grup marrin pjesë edhe ekspertë të “CIM”-it. Si bazë për kurrikulat shërbejnë planet mësimore të shkollës shtetërore të Jenës.

Ankandi i bonove të thesarit, BSH hodhi në shitje 19.4 miliardë lekë

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje për shitje me ankand 19.4 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 13 mars, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12, 6-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht më 04.03.2010 dhe 18.06.2009. Nga totali prej 19.2 miliardë lekësh, 12.9 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 12-mujor dhe 6.5 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 6-mujor.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›