E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi thyen akullin: “Tadiç, i ftuar për takim në Prishtinë”



Blerina Olldashi
Raportet e tensionuara me Serbinë bënë që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i drejtonte një ftesë publike Presidentit serb Boris Tadiç për një takim në Prishtinë. “E ftoj Presidentin serb, Boris Tadiç, për një takim në zyrën time në Prishtinë, pasi është koha t’i shtrëngojmë duart njëri-tjetrit dhe të nisim krijimin e raporteve të mira fqinjësore e jo si në Luftë të Ftohtë”, - deklaroi kryeministri. Sipas Thaçit, të dy vendet duhet të jenë të interesuara të kenë raporte të mira fqinjësore në shërbim të stabilitetit dhe të së ardhmes europiane. “Është në interes të dy shteteve tona që të ndërtojnë raporte të fqinjësisë së mirë. Kjo është në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës europiane”, - tha kryeministri Thaçi. Lidhur me debatin për kthimin e pakicave
serbe në shtetin e Kosovës, Thaçi garantoi mbrojtje dhe mirëqenie për këtë kategori të larguarish. Kryeministri Thaçi sqaroi se çdo pëllëmbë e territorit të Kosovës është atdhe i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. “Përveç ftesës për kthim, qeveria e Kosovës ofron edhe mirëqenie e mbrojtje për ata që dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre”, - tha kryeministri.
Analistët kosovarë e kanë konsideruar hapin e Thaçit si një përpjekje për përmirësimin e raporteve të tensionuara mes dy vendeve. Analisti Ramush Tahiri ka shprehur mendimin se Kosova dhe Serbia kanë shumë tema për të cilat duhet të bisedojnë dhe ftesa e liderit kosovar duhet të shihet në frymën e krijimit të një raporti normal mes dy shteteve. “Vetëm fakti se jemi fqinjë, që i detyrohemi njëri-tjetrit në këtë rajon dhe që raportet në mes Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në një farë forme në raportet ndërmjet shteteve të tjera të rajonit, bën që të dy shtetet tona të shohin nga e ardhmja”, - është shprehur analisti kosovar. Pas një viti pavarësie dhe mospranimit nga Serbia, liderët kosovarë i kanë bërë thirrje shtetit serb që ta njohë realitetin e ri, në mënyrë që të dy vendet të ecin përkrah integrimeve euroatlantike. Analisti Ylber Hysa sqaron se çështja e pazgjidhur me Serbinë nuk është vetëm mospranimi i statusit. Sipas tij, Serbia pretendon të ketë rol dominues me Brukselin dhe Kosova përdoret thjesht për të tërhequr vëmendjen e BE-së. “Nëse Serbia mendon se mund ta arrijë këtë përmes tensionimit në Kosovë, kjo nuk do të ndodhë. Kosova është një faktor që është kuptuar në Beograd si mundësi për përmirësim në të ardhmen”, - tha Hysa.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›