E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lumenjtë Ishëm e Erzen, keqshfrytëzohen nga 24 subjekte

11/05/2005  Alarmi bie në vesh të shurdhër

DURRES - Shfrytëzimi pa kriter i materialeve inerte në shtretërit e lumenjve, ka detyruar Agjencinë e Basenit Ujëmbledhës Ishëm-Erzen të kërkojë ndëshkimin e subjekteve të palicensuara. Drejtuesit e agjencisë kanë thënë se në territorin që mbulon institucioni i tyre ushtrojnë aktivitet 40 subjekte, por gjysma e tyre nuk kanë dokumentacion për shfrytëzim. Për këtë arsye, ata i janë drejtuar, krahas strukturave përkatëse shtetërore në Durrës, edhe Sekretariatit Teknik e Këshillit Kombëtar të Ujit, pranë Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Në një relacion dërguar këtyre strukturave, bëhet e ditur se nga 40 subjekte, që ushtrojnë aktivitet, 24 prej tyre nuk kanë leje shfrytëzimi, ndërsa 2 të tjera janë në proces për plotësimin e dokumentacionit.

Agjencia ka kërkuar edhe ndihmën e organeve tatimore, policisë së

ndërtimit, policisë elektrike dhe asaj të rendit, por paralajmërimet dhe gjobat për këto subjekte nuk kanë mundur të detyrojnë subjektet të pushojnë aktivitetin, ose të pajisen me leje shfrytëzimi.

Një tjetër shqetësim për Agjencinë e Basenit Ujëmbledhës Ishëm-Erzen është edhe mosrinovimi i lejes nga disa subjekte, të cilët vazhdojnë të punojnë me leje, që u ka mbaruar afati i shfrytëzimit të inerteve në shtratin e Erzenit dhe Shkumbinit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›