E Hënë, 2 Nëntor 2026

BB, financon disiplinimin e ujërave të zeza

11/05/2005  KRRTRSH miraton sipërfaqen prej 70 ha, për impiantin

DURRËS - Problemet e disiplinimit të ujërave të zeza në qytetin e Durrësit dhe zonave periferike të tij kanë shtyrë nxitjen e studimit për ndërtimin e një impianti, që do të përpunojë ujërat e zeza. Në fund të javës së kaluar, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar një shesh në një sipërfaqe të mjaftueshme për ngritjen e impiantit, si dhe lejen e ndërtimit. Burimet bëjnë të ditur se KRRTRSH ka miratuar sheshin me një sipërfaqe në 70 ha, në afërsi të fshatit Vrrin, poshtë kodrave të Shën Vlashit.

Impianti

Impianti për trajtimin e këtyre ujërave të zeza do të ndërtohet në ish-vaskat e rritjes së peshkut, të cilat gjenden në perëndim të Kënetës. Gjetja e një sipërfaqe të përshtatshme dhe të bollshme për impiantin, u ka marrë shumë kohë specialistëve, pasi çështja e pronësisë së tokës ka qenë detyrim i përcaktuar nga Banka Botërore, e cila është edhe financuese për ndërtimin e impiantit.

KRRTRSH ka studiuar disa variante dhe është miratuar ndërtimi i impianit pikërisht tek ish-rezervati i rritjes së peshkut, duke qenë se e gjithë sipërfaqja është në pronësi të shtetit.

Projekti, që do të mbështetet me fonde të Bankës Botërore, synon zvogëlimin e ndotjeve në brigjet e qytetit të Durrësit, si dhe

monitorimin dhe menaxhimin mjedisor të kësaj zone bregdetare. Zgjerimi i mjedisit urban në qytetin e Durrësit, përmes ndërtimeve të reja të pasviteve ’90, është shoqëruar me shqetësimin e veçantë të ndotjes së mjedisit, si pasojë e mungesës së kanalizimeve të ujërave të zeza.

Shtrirja

Krahas amortizimit të rrjetit brenda në qytet, rrjet i ndërtuar prej 40 viteve, është shtuar edhe zgjerimi i gjeografisë së ndërtimit. Kështu në zonën e Plazhit, ku edhe akomodohen pjesa më e madhe e pushuesve në sezonin turistik, hotelet, pallatet dhe

banesat e reja në shumicën e tyre kanë gropa septike, ndërkohë që mungesa e kanalizimeve ka shtyrë pronarët e lokaleve, restoranteve dhe hoteleve, ndërtuar në të djathtë të rrugës, të derdhin ujërat e zeza në det.

Gjetja e burimeve financiare për të shtrirë edhe në këtë zonë sistemin e kanalizimit ka ecur paralelisht me studimin për ngritjen e impiantit. Në projekt përfshihen edhe investime për përmirësimin e rrjetit dytësor të kanalizimeve në zonën e Plazhit dhe stacioneve të tyre të pompimit, si dhe mbrojtjen dhe monitorimin e zonave ekologjike të grykëderdhjeve të lumenjve Ishëm-Erzen.

Zgjidhja

Impianti është parashikuar të afrojë zgjidhje afatgjatë për prurjet e ujërave të zeza, duke zgjidhur në këtë mënyrë një ndër problemet më të mëdha të qytetit të Durrësit. Specialistët, të

cilët janë marrë me këtë projekt, thonë se impianti do të përballojë prurjet e ujërave të zeza të qytetit të Durrësit për një prespektivë deri në vitin 2022. Nga studimet e bëra për shtimin e popullsisë, mësohet se në këtë vit Durrësi dhe rrethinat e tij do të kenë rreth 250 mijë banorë, ndërkohë që aktualisht Durrësi ka rreth 186500 banorë.

Durrësi është ndër qytetet më problematike për sa i përket rrjetit të ujërave të zeza. Fondet e pakta të investuara në këtë sistem, ndërhyrjet në rrjet si pasojë e ndërtimeve dhe bllokimi i kolektorëve kanë bërë që ndotja në rrugët e qytetit të dalë në

sipërfaqe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›