E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika në 5 vjet regjistron 37 kallëzime në Prokurori

09/12/2009  Ping-pong akuzash për shpifje, Moisiu i vetmi që shkon në gjykatë, të tjerat pushohen

TIRANE- Deklaratat dhe akuzat e ndryshme midis përfaqësuesve të partive politike në vend kanë bërë që herë pas herë durimi midis tyre të soset, dhe menjëherë palët kanë përfunduar në prokurori me akuza si “shpifje”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve”, “korrupsion” e të tjera. Por më shumë se kaq, subjektet dhe përfaqësuesit politikë kanë shfrytëzuar situatën që nëpërmjet deklaratave në media t’i bëjnë vetes publicitet, dhe në një farë mënyre të lajnë duart me kundërshtarin, duke i thënë atij se tashmë ta rregullon Prokuroria dhe jo ai personalisht. Gjithashtu në shumicën e rasteve, partitë politike i janë drejtuar me kallëzime konkrete organit të akuzës, me qëllim mbulimin e të vërtetës ose për t’i paraprirë veprimeve të kundërshtarit të tyre. Me pak fjalë kjo situatë krijohet në formën e një teatri ku subjektet politike janë aktorët, ndërsa qytetarët në këtë rast mbeten spektatorët e përhershëm. Midis këtyre, Prokuroria ka rolin e “koshit të plehrave”, ku çdo kallëzim i hedhur prej tyre, nuk regjistrohet si procedim penal, pasi në shumicën e rasteve ose kallëzimi nuk plotëson elementët e veprës penale ose për arsye të ndryshme organi i akuzës nuk merr iniciativat për të kryer hetime. Një gjë e tilla ka ndodhur për gati 5 vjet me radhë, ku gjatë kësaj periudhe në Prokurorinë e kryeqytetit janë depozituar rreth 37 kallëzime penale nga përfaqësues dhe subjekte të ndryshme politike. Përveç çështjes së ish-presidentit Alfred Moisiu, ku ky i fundit aktualisht është marrë i pandehur, asnjëri prej kallëzimeve penale nuk ka përfunduar në gjykatë, por gjatë kohës ai është arkivuar dhe më pas pushuar nga organi i akuzës. Shumë parti kanë ngritur “shpatat”, duke shpejtuar të godasin nëpërmjet ligjit kundërshtarët e tyre, por asnjëra nga këto “shpata” nuk i ka sjellë pasoja personave të paditur. Madje më keq akoma, ato gjatë këtyre 5 viteve kanë ndikuar në përforcimin e idesë, se mjafton që kallëzimi të jetë kryer nga një subjekt politik, ai që ditën e parë të depozitimit “de fakto” është i pushuar. Lidhur me këtë situatë që askujt nuk i hyn gjemb në këmbë, prokurorët thonë se kallëzimet bëhen në kushtet e emocioneve personale, me pretekstin se çështja e natyrës jo penale, mund të zgjidhet nga organi i akuzës, që juridikisht është një institucion që heton vepra penale dhe jo civile. Në qoftë se situata do të vazhdojë kështu, atëherë kallëzimet penale duket se do të kenë të njëjtin fat me 37 kallëzimet e bëra gjatë këtyre 5 viteve.

37 kallëzime

Që prej ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në organin e akuzës së kryeqytetit janë depozituar rreth 37 kallëzime penale nga subjektet dhe përfaqësues të partive politike në vend. Pjesa më e madhe e këtyre kallëzimeve i përkasin natyrës së veprave si “shpifje”, “korrupsion” e të tjera. Fatin e të qenurit të kallëzuar e kanë provuar si Kryeministri i vendit Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, kryetari i PS Edi Rama e deri tek deputetë si Gerti Bogdani, drejtuesi i partisë G99 Erion Veliaj e tjerë.

Lapsi kap Moisiun

Duket se nga e gjithë kjo skenë teatrale, “kurban” i këtyre kallëzimeve është bërë ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili është marrë i pandehur nga organi i akuzës për veprën penale të “shpifjes”. Ndaj tij ka kryer denoncim deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani, pasi pikërisht emrin e këtij të fundit Alfred Moisiu e kishte renditur në 21 kandidatët që nuk duhet të fitonin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Lidhur me këtë çështje Prokuroria gjeti prova bindëse dhe vendosi të marrë të pandehur ish-presidentin.

“Koshi i plehrave”

Situata e kallëzimeve krijohet në formën e një teatri ku subjektet politike janë aktorët, ndërsa qytetarët në këtë rast mbeten spektatorët e përhershëm. Midis këtyre, Prokuroria ka rolin e “koshit të plehrave”, ku çdo kallëzim i hedhur prej tyre, nuk regjistrohet si procedim penal, pasi në shumicën e rasteve ose kallëzimi nuk plotëson elementët e veprës penale ose për arsye të ndryshme organi i akuzës nuk merr iniciativat për të kryer hetime. Në këtë mënyrë që ditën e parë të depozitimit “de fakto” kallëzimi është i pushuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›