“Lumin e kalonim gjithmonë për të shkuar tek miqtë”
Nga Grekani, ALDO KOZARIA
Dyert e mortit janë hapur në familjen Çapja në fshatin e thellë Grekan të Elbasanit, pas mbytjes së nënë e bijë në lumin Devoll. Por, ndonëse Selvija 45-vjeçare u nda nga kjo jetë të dielën, në të njëjtën kohë me Xhorxhinën, 11 vjeçe, në banesën e fundit shkuan të ndara. Trupi i pajetë i gruas u përcoll i vetëm, pasi kërkimet për vajzën e vogël dështuan dhe dje. Mes personave që kërkojnë trupin e 11-vjeçares është dhe xhaxhai i saj, Pëllumb Çapja, i cili bashkë me babanë dhe burrin e viktimave punon prej vitesh në Greqi.
Si e morët vesh ngjarjen e rëndë?
Rreth drekës më ka telefonuar ime shoqe, duke më thënë fillimisht se Selvia bashkë me dy nga fëmijët ishin mbytur në përpjekje për të kaluar lumin. Më pas gjatë lidhjes së dytë arrita të mbledh veten dhe të dëgjoj se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Fillimisht mendova të mos i thosha vëllait, Tasimit, sepse ai sapo ishte kthyer nga puna dhe kisha frikë mos i binte të fikët. Pas 2 orësh i thashë se duhej të nisemi urgjent për në Shqipëri. Vetëm kur dolëm nga shtëpia, në periferi të Athinës, i tregova të vërtetën.
Kur mbërritët në fshat?
Kemi ardhur rreth orës 23:00 dhe kemi gjetur të gjithë njerëzit e tronditur. Nga njerëzit tanë mësuam se çfarë kishte ndodhur dhe se si kishin shkuar kërkimet deri rreth mesnatës për gjetjen e Xhorxhinës. Më pas kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarë të familjes sonë, të cilët qëndronin pranë lumit, por deri në këtë moment që ne po flasim trupi i mbesës ende nuk është gjetur, megjithë përpjekjet e bëra. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që janë duke u marrë me kërkimet për gjetjen e trupit të mbesës sime. Deri tani qoftë policia, komuna apo polumbarët janë duke kërkuar pa u ndalur për asnjë çast që të gjejnë trupin, pavarësisht se nuk kanë mundur ta gjejnë atë.
Pas tragjedisë që ju ndodhi a bëni ndonjë person përgjegjës?
Nuk dua në mënyrë absolute të merrem me askënd, sepse nuk është faji i askujt që familja e vëllait tim dhe ne të gjithë të tjerët pati këtë tragjedi. Kjo nuk ka ndodhur për fajin e instancave shtetërore, por aty ka qenë shkruar fati i kunatës dhe mbesës sime. Nuk mund të akuzoj askënd, sikundër nuk mund të lejoj asnjeri të aludojë me fatkeqësinë që i ndodhi familjes tonë dhe vëllait tim. Dua vetëm që kërkimet të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa të gjendet trupi i pajetë i mbesës sime.
Ju vetë keni kaluar ndonjëherë në rrjedhën e lumit Devoll? Po Selvija dhe fëmijët e kishte bërë një gjë të tillë përpara?
Po, e kam kaluar shpesh. Madje sa herë vij në Shqipëri kaloj nëpërmjet lumit për të shkuar tek të afërm që kemi në fshatin Mollas. Lumi mund të kalohet lehtësisht nëse nuk ka prurje të shumta, por mendoj se në momentin e mbytjes lumi ka qenë i fryrë, çka mund të ketë qenë shkaku kryesor i tragjedisë. Selvia e kalonte lumin sa herë dëshironte të shkonte tek prindërit e saj, të cilët jetojnë në Mollas, fshat që duket nga oborri i shtëpisë sonë, vetëm lumi na ndan.
Fshatrat që ankohen për një urë
Për shkak të një ure, banorët e dy komunave, Grekan dhe Mollas kanë rrezikuar prej vitesh jetën për të kaluar nga njëra anë e Devollit në tjetrën. Dy viktimat e së dielës nuk janë të parat, por megjithëkëtë, askush nuk ka marrë masa për të evituar tragjedi të tilla. Banorët janë të detyruar të kalojnë më këmbë lumin, ndonëse ujërat e tij janë një rrezik serioz për jetën e tyre. Gratë dhe fëmijët janë më të rrezikuarit, por edhe burrat jo rrallëherë janë përpirë nga rrjedha e lumit. Jo vetëm në dimër, por edhe në verë ky lumë ka marrë jetë. Duke qenë se në vijë ajrore dy zonat janë vetëm 300 metra larg njëra-tjetrës, banorët në të shumtën e rasteve e kalojnë Devollin me këmbë, si një mundësi për të kursyer 60 km rrugë që bëhet për rreth 90 minuta, por edhe 200 lekë të reja.
Tasimi: Zoti të më japë forcë
Tasim Çapja, babai i Xhorxhinës është tepër i tronditur nga humbja e dyfishtë e familjarëve të tij. Që prej momentit të mbërritjes nga Greqia ai ka qëndruar pranë forcave të policisë, në kërkim të trupit të vajzës 11-vjeçare. Për Tasimin, lajmi ishte i rëndë, ndërsa i lutet Zotit që t‘i japë forcë të përballojë këtë fatkeqësi. Tani i duhet të kujdeset për dy fëmijët e mbetur gjallë, një prej të cilëve shpëtoi mëngjesin e së dielës, falë ndihmës së një banori të zonës. Ai i bën thirrje policisë që të vazhdojë kërkimet, të paktën të përcjellë për në banesën e fundit të bijën, në krah me të ëmën.
Dështojnë kërkimet për trupin e Xhorxhinës
ELBASAN - Kërkimet për gjetjen e trupit të 11-vjeçares, e cila u mbyt me nënën e saj në ujërat e Devollit vijuan edhe dje nga tetë polumbarë të repartit të forcave RENEA në Tiranë. Ata i përqendruan kërkimet në të gjitha zonat ku dyshohet se mund të ndodhet trupi i vajzës, Xhorxhina Çapja. Forcat RENEA krehën afërsisht 15 km nga zona ku janë mbytur nënë e bijë, por deri tani nuk kanë mundur të gjejnë viktimën. Mbrëmë, deri në orët e vona polumbarët u përqendruan në afërsi të digës së Fashukut, e cila ndodhet në zonën e Kuçovës. Më parë ata kishin kërkuar në të gjithë zonën nga vendi ku ato u mbytën, e cila i përket qarkut të Elbasanit. Nëse trupi i vajzës nuk do të gjendet as sot, atëherë kërkimet do të shtrihen edhe më tej deri në grykëderdhjen e Devollit, i cili pasi bashkohet me lumin Osum përfundon në ujërat e detit Adriatik në zonën e Semanit në Fier. Nga vendi ku janë mbytur nënë e bijë e deri në ujërat e Adriatikut është rreth 45 km.