Për drogën, plagoset 27-vjeçari
SHIJAK - Një breshëri e shkurtër kallashnikovi trondit banorët e Shijakut, por për fat të mirë bilanci nuk është tragjik. Ilir Nurka, 27 vjeç, ka shpëtuar mrekullisht, duke marrë një plumb në këmbë, ndërsa shoku i tij me të cilin u fut në sherr Nekelian Merko u arrestua pak minuta pas ngjarjes, si autor i dyshuar. Policia e Shijakut ka dyshime se viktima dhe i arrestuari janë përdorues droge. Madje edhe sherri mes tyre duket se ka lindur nga një mosmarrëveshje për lëndë narkotike. Ata ishin shokë të ngushtë, të paktën, deri në orën kur ndodhi plagosja. Pas përfundimit të analizave të para policia e Shijakut ka dalë në konkluzionin se, “plagosja nga ana e Merkos ka ndodhur për motive të dobëta dhe nën efektin e lëndëve narkotike”. U bllokua në cilësinë e provës materiale arma e krimit automatike kallashnikov, e përdorur nga autori. o.u