Nishani: Qytetarët të tërheqin kartat për të shmangur radhët
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u bëri sërish thirrje qytetarëve që kanë aplikuar për tu pajisur me kartën e identitetit, të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile për të marrë dokumentin. “Zyrat e aplikimit janë të hapura në çdo ditë të javës, deri në orët e mbrëmjes. Nëse çdo njëri prej shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin e ri do të mendonte për tërheqjen e letërnjoftimit të tij në ditën e fundit, para datës së zgjedhjeve, do të krijonte radhë të gjata dhe vështirësi në ofrimin e këtij shërbimi”, u shpreh Nishani. Sipas tij, rreth 1 milion e 100 mijë qytetarë kanë aplikuar deri tani për t’u pajisur me dokumentet e reja elektronike. Ministri Nishani bëri të ditur në një intervistë televizive se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme të shpejta. Në çdo komunë të vendit, pavarësisht distancës dhe largësisë sa saj, të gjitha zyrat e aplikimit janë të hapura dhe qytetarët po vazhdojnë të aplikojnë, theksoi Nishani, duke shtuar se deri tani janë prodhuar mbi 900 mijë letërnjoftime elektronike, prej të cilave 535 mijë janë tërhequr nga qytetarët shqiptarë. Ky proces, theksoi kreu i Ministrisë së Brendshme, “i ka afruar qytetarëve shqiptarë një dokument të një standardi të lartë sigurie, të paarritur më parë në vendin tonë”, proces, që sipas tij, është realizuar brenda një afati të shkurtër. Nisur nga ligji i ri zgjedhor, i cili përcakton se në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit, shqiptarët do të votojnë vetëm me letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën aktuale për jashtë shtetit, ministri i Brendshëm tha se përparësi në këtë proces kanë ata shtetas, të cilët nuk kanë asnjë nga mjetet e domosdoshme për votim. Ministri Nishani sqaroi se nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimet e reja elektronike, rreth 420 mijë prej tyre, janë pa pasaportë, ndërkohë që mbi 300 mijë letërnjoftime të prodhuara gjenden në zyrat e aplikimit në pritje për t’u tërhequr.