Lumshi realizon ëndrrën “femërore”
Studentët e Akademisë së Arteve do të vënë në skenë një prej akteve të operës së Puçinit, “Triptik”. “Suor Angjelika” është pjesa që do të interpretohet nga studentë të vitit të tretë dhe të katërt të akademisë nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e Dritan Lumshi. Këto të fundit kanë hedhur propozimin e përbashkët për të punuar mbi këtë vepër, e cila vjen për të dytën herë pas shfaqjes së saj në teatrin e operës dhe baletit disa muaj më parë. Dirigjenti i shfaqjes, Dritan Lumshi, thotë se ideja e përzgjedhjes së kësaj pjese është bërë më e pranueshme, pasi ka përkuar me dëshirën e tij të parealizuar kohë më parë. “Propozimi i kësaj shfaqjeje erdhi nga vetë regjisori Nikolin Gurakuqi fillimisht dhe mua më pëlqeu, kështu e miratova atë, pasi ishte një vepër të cilët sapo e kishin vënë edhe në skenën e teatrit të operës. Ideja e regjisorit përputhej edhe me një idenë time të vjetër. Që kur unë isha student kisha një afeksion të veçantë për veprën “Suor Angjelika”. E pata dëgjuar dhe fillova ta studioja sepse, bashkë me kursin tim, para disa vitesh menduam ta vëmë në skenë, pra brenda një kuadri miqësor. Për këtë arritëm të gjenim edhe partiturën me ndihmën e profesoreshë Suzana Frashrit, por nuk arritëm ta realizonim dot. Tani erdhi sërish kjo mundësi dhe pse mos ta shfrytëzoj”, - shprehet ai. Ajo që e karakterizon këtë shfaqje, duke e dalluar kështu edhe nga pjesa e mëparshme në TKOB është përfaqësimi i të gjitha personazheve pjesëmarrëse vetëm nga zërat femërorë. Lumshi paraqet edhe një tjetër veçori të kësaj pjese, duke u shprehur se “do të interpretojnë të gjitha personazhet, vajzat në të njëjtën kohë do të jenë edhe pjesë e korit. Kjo është një muzikë shumë e bukur, e sigurisht edhe shumë e vështirë për ta luajtur”. Për këtë, dirigjenti është shprehur optimist, pasi nisur nga eksperienca e tij si pedagog i jashtëm, ai tregon se studentët janë shumë të përgatitur. “Niveli i tyre është shumë i mirë dhe për këtë jam vërtet shumë i kënaqur, si nga ana muzikore dhe ajo regjisoriale. Për mua është një akumulim i orëve që bëjmë. Është rezultati i fundit që ne arrijmë të marrim. Veç këtyre, është edhe një kënaqësi teksa shikon një vepër operistike në skenë të cilën e ke ngritur vetë nga fillimi i saj e deri në fund, tashmë me studentë dhe jo me profesionistë, të cilët shumë nga konceptet operistike i kanë të ndërtuara”, - thotë ai, duke shtuar se me studentët duhet të fillojë gjithçka nga e para, për t’u dhënë atyre mundësinë që të kuptojnë se si funksionon opera. Ai vijon se “ky është edhe qëllimi ynë, të dalin me role të plota, të dinë se si ndërtohet opera, sa të lirshëm duhet të jenë, si dhe ta përvetësojnë një rol qoftë muzikalisht, ashtu edhe skenikisht nga ana regjisoriale”.
Personazhet Suor Angjelika do t’i luajnë studentët Alikejda Qirko, Ardita Meni, Lira Milla, ndërsa rolin e “Xia Principesha” do të vihet nga Klodiana Laze. Të katër vajzat kanë luajtur edhe në shfaqjen “Orfeu dhe Euridiqi” në semestrin e tyre të parë të këtij viti. Vepra është në fazën e fundit të përgatitjes dhe sipas dirigjentit, gjithçka po shkon mirë. “Suor Angjelika” do të vijë në skenën e Akademisë së Arteve në datat 8, 9, 10 qershor.